MINORITARËT/ 15 kilometra larg Shkodrës qëndrojnë familjet e fundit malazeze të shpërngulura rreth 300 vjet më parë në Shqipëri
Dy kombësitë kanë bashkëjetuar me njëra-tjetrën në paqe për shumë dekada pa asnjë lloj diskriminimi
SHKODËR - Rreth 15 km larg qytetit të Shkodrës, gjendet fshati Vrakë. Na thonë se ky fshat deri në fillim të viteve ’90 ka qenë i populluar kryesisht nga pakica malazeze, e cila mendohet që të jetë vendosur në këtë zonë rreth viteve 1750. Ajo që vërehet në banesat e minoritetit malazez të mbetur në Vrakë, është varfëria tepër e madhe. Mungesa e punës së kryefamiljarit, por edhe mungesa e të afërmve, të cilët janë larguar, duket se e kanë zbehur edhe dëshirën e madhe për punë.
Në familjen e njërit prej banorëve, Gjoko Stojkiqit, jetojnë 7 vetë dhe kanë vetëm një njeri që punon për të gjithë. Plaku Gjoko, rreth të 70-ave, shprehet në të dy gjuhët se kanë jetuar mes shqiptarëve me shekuj, brez pas brezi, duke jetuar në harmoni të plotë dhe pa pasur kurrë as problemin më të vogël. Por.. gjuhën dhe traditat i kanë ruajtur me fanatizëm edhe në kohën e komunizmit, kur ishte e ndaluar. “Edhe atëherë e kemi folur.
Në shtëpi flitet vetëm në gjuhën malazeze”, thotë Gjoko Stojkiq. E sa për marrëdhëniet me shqiptarët: “Ne kemi jetuar gjithmonë si vëllezër, sidomos me fshatin fqinj, që quhet Shtoj i Vjetër. Nuk kemi njohur asnjëherë dallimin mes njëri-tjetrit. Kemi jetuar dhe kemi punuar bashkë, duke mos pasur deri më sot as më të voglin problem. Jemi të kënaqur me atë që na ka dhuruar Zoti, me vendin ku jetojmë e njerëzit që na rrethojnë,”- shton plaku Gjoko. Ndërkaq, e zonja e shtëpisë, Plaka Mirusha, energjike, edhe pse në moshë të thyer, sapo na sheh afrohet dhe na uron mirëseardhjen në familjen e saj në gjuhën e vet amtare.
E gjithë familja mobilizohet dhe na ofrojnë ato gjëra që iu ndodhen. Plaka Mirusha tregon se me origjinë janë nga Zeta e Malit të Zi, por në këtë vend është lindur gjyshi, babai dhe ajo vetë. “Jam shumë e vjetër këtu. Prej treqind vjetësh, pasi im gjysh është lindur këtu. Kemi jetuar shumë mirë. Gjuhët i flas të dyja, por traditat i kemi ruajtur dhe vazhdojmë t’iruajmë me fanatizëm, sepse janë tonat. Kemi festat tona fetare, kemi zakonet e dasmave që i kemi ruajtur dhe vazhdojmë t’i ruajmë, edhe pse kohët e fundit nuk kemi shumë dasma, pasi rinia po ikën, toka po shitet dhe askush nuk e sheh të ardhmen këtu”, shprehet me keqardhje Mirusha. Djali i tyre, Aleksandri, punon me kalë e karrocë për të mbajtur familjen. “Është e vështirë”, thotë ai, “por ne punojmë për të jetuar”. E megjithatë, duke vazhduar rrëfimin Aleksandri tregon se në shoqërinë në të cilën jeton nuk e ka ndier asnjëherë dallimin.
Të mbeturit
Me ndryshimet politike në gjithë bllokun komunist, malazezët e Vrakës “morën arratinë” dhe u larguan. Vetë banorët thonë se kanë qenë rreth 1250 familje malazeze që janë larguar pas viteve ’90 nga zona e Vrakës, zonë e cila përfshin fshatrat Gril, Boriç i vogël, Boriç i Madh dhe Omaraj. Shumica prej tyre janë larguar dhe vendosur në vendin e origjinës, në Zetë të Malit të Zi, një pjesë tjetër janë vendosur në Deçan të Kosovës në banesa shtetërore e disa në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë, ku vazhdojnë të jenë edhe sot e kësaj dite.
Sot Vraka numëron shumë pak familje malazeze, me rreth 40 -50 vetë. Në fshatin Omaraj jetojnë 2 familje, në Gril 2 familje, ndërsa nëBoriç të vogël, 10 familje. Edhe pse janë lindur e rritur në Shqipëri, në shtëpitë e tyre flitet gjuha malazeze, e ruajtur me fanatizëm. Duke qenë se përreth kanë shumë shqiptarë dhe kontaktet me ta janë të përditshme, pjesëtarët e minoritetit malazez të Vrakës i flasin të dyja gjuhët. Shkollën gjithmonë e kanë bërë në gjuhën shqipe, ndërsa përsa i përket gjuhës malazeze, e kanë ruajtur e trashëguar brez pas brezi, sepse në shkollën 9-vjeçare, në fshatin Gril, mësohet vetëm në gjuhën shqipe.
Lidhur me këtë, banorët malazez të Vrakës tregojnë se nuk kanë bërë ndonjëherë kërkesë që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin në gjuhën malazeze dhe kjo të futet në shkollë. Kjo pasi janë të bindur se, duke qenë të paktë në numër, nuk kanë asnjë përfitim nga futja e gjuhës së tyre në shkollë, pasi atë e mësojnë dhe e praktikojnë në shtëpi dhe në marrëdhënie me njëri-tjetrin, ndërsa në ambientet e tjera ajo nuk u duhet, pasi kudo flitet shqip.
Feja
Pas viteve ‘90, për komunitetitn malazez të këtij fshati u ngrit kisha ortodokse malazeze, e quajtur “Sveta Trojica” (Kisha e “Shën Trinisë”). Mungesa e një prifti ortodoks malazez bën që kjo kishë të qëndrojë e mbyllur gjatë gjithë kohës, përveçse në festa tradicionale siç janë Pashkët ortodokse ose Krishtlindjet. “Nuk kemi një prift që të japë shërbesast dhe ne jemi të paktë që të mund të nxjerrim një të tillë nga radhët tona”, thonë malazezët e Vrakës, duke justifikuar kështu mbajtjen mbyllur të kishës së tyre. Malazezët shprehën se fëmijët i pagëzojnë në raste të veçanta në qytetin e Shkodrës, tek famullia ortodokse. E në ndonjë rast i pagëzojnë edhe në Mal të Zi.
Rrëfimi
“Shqipen do t’ua mësoj edhe nipërve”
Gjurgja Sekuliq, një tjetër minoritare e komunitetit malazez të Vrakës, jeton e vetme po në këtë fshat. Ajo shprehet se në këtë shtëpi ka 40 vite që jeton dhe ka pasur një harmoni të vërtetë me shqiptarët. Shqipja e saj është e pastër, karakteristikë e kësaj zone, e cila i flet të dy gjuhët shumë pastër. Ajo shpjegon edhe për martesën e vajzave të saj, njëra e cila jeton në Greqi dhe tjetra në Mal të Zi, ndërsa tregon se gjuhën shqipe ka dëshirë t’ua mësojë edhe nipërve të saj. “Kjo është vendlindja ime, ky është vendi im”, thotë ajo.
Shumë nga banorët janë larguar dhe tashmë kanë krijuar jetën e tyre në vend tjetër, ndërsa i gjithë vendi po zbrazet
Arratia
Në të hyrë të fshatit Boriç i vogël janë shumë shtëpi të lëna pas dore dhe në disa prej tyre edhe mbishkrimi “SHITET”. Shumë nga ish-banorët e këtyre shtëpive dhe tokave janë larguar në vitin 1991 nga ky vend, ndërsa sot kërkojnë që të shesin edhe ata pak tokë dhe pasuri që e kanë në Shqipëri për të ndërtuar diku tjeter.
Sveta Jakoviq shprehet se “jemi shumë të vjetër këtu, kemi rreth 300 vite që jetojmë së bashku me shqiptarët. Familjen e kam të gjithën në Mal të Zi, vëllezërit e të gjithë. Ata janë larguar në vitin 1991. Edhe ne kemi qenë, por u kthyem menjëherë. Jemi shumë pak, por atë popullin që e sheh gjatë meshës kur ka festa në kishën tonë është i ardhur prej gjithkah. Vijnë nga Podgorica, Shkodra, Cetina e qytete tjera.Tash kemi mbetur shumë pak, këtu në fshatin Gril jemi 2 shtëpi. Ikëm në vitin 1991 se menduam që atje e kemi më mirë”.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në vitin 1992 në zonën e Vrakës kanë qenë rreth 300 familje me rreth 1750 banorë të minoritetit malazez. Ata janë larguar me dëshirën e tyre dhe janë vendosur në Kosovë e Mal të Zi. Ata pak banorë që kanë mbetur, janë kryesisht fëmijë e të moshuar, pasi të rinjtë janë larguar, ose në zona të tjera, ose jashtë Shqipërisë. Të ardhurat e banorëve minoritarë të Vrakës sigurohen nga bujqësia e, në ndonjë rast, edhe nga tregtia.
Sipas drejtuesve të shoqatës që përfaqëson këtë minoritet, numri i tyre është më i madh, por ata janë të shpërndarë në zona të ndryshme të vendit, kryesisht në Shkodër, Tiranë, Durrës etj. Po prej tyre thuhet se ky minoritet nuk ka përfaqësimin e duhur në nivelet e pushtetit vendor apo dhe më tej.