Enjte, 08 Janar 2009 01:09:28

Lexoni versionin Print

Nëna e Mateos: Si ma rrëmbeu djalin ish- i dashuri im sirian

Vogëlushi 13 muajsh, Mateo Dullia, nuk dihet nëse është gjallë apo ka vdekur. Nëna e tij, Albana Dullia, ka shumë frikë se fëmija i saj, në rastin më të mirë, është shitur nga grupe mafiozësh dhe në rastin më të keq, mund të mos jetojë më.

Marrë nga Agjencia e Lajmeve NOA
Merkure, 19 Nentor 2008 09:36:00

Albana Dullia, nëna e foshnjes së zhdukur, pohon frikën e saj se i biri mund të ketë përfunduar në një rrjet trafiku fëmijësh

ATHINË- Vogëlushi 13 muajsh, Mateo Dullia, nuk dihet nëse është gjallë apo ka vdekur. Nëna e tij, Albana Dullia, ka shumë frikë se fëmija i saj, në rastin më të mirë, është shitur nga grupe mafiozësh dhe në rastin më të keq, mund të mos jetojë më.

Në një intervistë ekskluzive dhënë dje për agjencinë e lajmeve NOA, 29-vjeçarja Albana Dullia tregon gjithçka për ngjarjen që i ka ndryshuar jetën, për 72 ditët plot ankth që po përjeton, pas zhdukjes në rrëmbim të djalit të saj që më datë 7 shtator kur humbi, ishte vetëm njëmbëdhjetë muajsh.

Albana, duke shprehur keqardhjen për humbjen e vogëlushit tuaj, ne bashkohemi me dhimbjen dhe përpjekjet tuaja për gjetjen e tij. A mund të kujtoni cilat ishin raportet tuaja me autorin e dyshuar të rrëmbimit, Hasan Kerim?

Pikë së pari, ai nuk është i dyshuari, por autori i vërtetë i rrëmbimit. Personi në fjalë kishte krijuar njohje me mua, e cila arriti deri në një bashkëjetesë, ku toleranca ime dhe dëshira ime për ta ndihmuar, u shfrytëzuan shumë keq.Unë e kam njohur këtë person rreth tre vjet më parë, këtu në Athinë. Unë jetoj këtu me familjen time, nënën, vëllanë dhe pjesëtarë të tjerë.

Një mbrëmje ne shkuam në një lokal ku kishte muzikë orientale. Atje jam njohur me këngëtarin, i cili ishte Hasan Kerim. Ky person ishte një emigrant nga Siria që siç mësova më vonë, ishte pa dokumente në Greqi. Ne u njohëm bashkë dhe unë ndjeva një dëshirë të brendshme për ta ndihmuar atë. Ai ishte pa shtëpi, shpejt mbeti pa punë, kurse unë në një gjendje normale, me shtëpi dhe familje. Vendosa të marr një shtëpi me qera, në emrin tim, sepse ai nuk mund të merrte banesë pasi ishte klandestin dhe nisëm të jetojmë së bashku.

Gjatë kësaj periudhe, a punonte ai?

Jo. Unë kam bashkë me nënën time një dyqan me aksesorë rrobash dhe në më të shumtën e kohës ai rrinte me ne. Kjo zgjati për më pak se një vit dhe raporti mes nesh ishte normal. Pikërisht kur unë mbeta shtatzënë, ndryshoi gjithçka.

Çfarë ndodhi?

Ishte e tmerrshme. Ai nisi të më konsideronte si tokën e tij, karakteri i ndryshoi tërësisht, u bë i vrazhdë, fëmijën refuzonte ta mbanim. Këmbënguli shumë herë që fëmijën ta abortoja, arriti deri atje sa të më thoshte, nuk e dua, nuk është i imi etj. Unë refuzova me bindje që të dështoja fëmijën tim të parë. Ishte një dhuratë nga Zoti dhe unë duhet ta sillja në jetë. Por ai u bë edhe më i keq dhe ndërsa isha në muajt e parë të shtatzënisë, u zhduk nga shtëpia. Që atëherë nuk ishte bërë më i gjallë.

Kur u rishfaq Hasan Kerim?

Kur ai u zhduk, jeta ime ndryshoi dhe unë isha e qetë. Pata një shtatzani normale dhe solla në jetë djalin tim, krijesën e parë, që mori emrin Mateo. Së bashku me familjen time, kemi bërë gjithçka që djalit të mos i mungojë kurrgjë dhe të rritet normalisht. Ishte data 7 shtator, pra para 72 ditësh, kur ndodhi ajo që më shkatërroi jetën. Unë gjendesha në shtëpi dhe u bëra prè e një kurthi në të cilin rashë, sërish nga zemërgjerësia, mirëbesimi im.

Pra ndodhesha në shtëpi me djalin tim, Mateon që ende nuk i kishte mbushur njëmbëdhjetë muaj. Befas shfaqet personi në fjalë, që nuk dua t’ia përmend emrin. Kishte një pamje dhe sjellje krejt të ndryshme. Por unë nuk e kuptova që ishte vetëm pjesë e planit. Ai nisi të përgjërohej se kishte ndryshuar, se donte që të rikthehej dhe se donte të ishim një familje. Unë nuk mund ta besoja ndaj i thashë se kjo gjë nuk bëhej. Atëherë përdori një variant tjetër.

Në rregull më tha, dalim nga këtu bëjmë një xhiro që t’i blej një dhuratë fëmijës sim, kaq të drejtë e kam. Megjithëse me hezitim të fortë, pranova, duke besuar për një çast se ai vërtet ishte i përmalluar me fëmijën që nuk e kishte parë kurrë. U gënjeva. Mora fëmijën në krahë dhe dolëm nga shtëpia, këtu në Kukaki ku jetoj dhe përballë në trotuar nisëm të ecnim.

Ndërsa ecnim, më thotë: Ma jep fëmijën të shkojmë në dyqan t’i blej biskota. I them, jo se ka ngrënë dhe i blej biskota të posaçme për bebe. Ndërsa ecnim dhe pak metra, sërish më thotë, në rregull më lër ta mbaj pak në krahë, vetëm pak metra. Ai çast ishte fatal për mua sepse pranova në heshtje.

Këtu ndodhi e tmerrshmja. Ai e mori Mateon nga kraharori im dhe e mbajti në krahë duke ecur pak më përpara se unë, ndërsa fëmija ishte drejtuar nga unë. Kishin kaluar vetëm pak metra, kur po afrohej një kryqëzim, në të cilin vijon një rrugë tejet e gjatë. Ai befas vrapoi me shpejtësi, duke i kthyer kokën djalit që të mos më shihte dhe zhduket sa hap e mbyll sytë, megjithëse unë më kot renda duke vrapuar.

Kur ndodhi kjo, ju patë të kishte ndonjë person tjetër përreth?

Ajo që dëgjova ishte një zhurmë motori, që më bën të besoj se ai po ndihmohej nga persona të tjerë, sepse u zhduk shumë shpejt.

Çfarë bëtë pas kësaj?

Kam klithur me të madhe. Nuk arrija ta besoja. Aty u mblodhën shumë njerëz, lajmërova dhe policinë.

Ju ka ndihmuar policia greke?

Jashtë mase. Ata kanë punuar shumë dhe me ç’më thonë, vazhdojnë të punojnë, por gjithsesi djali im nuk është gjetur dhe unë nuk e di nëse ai është gjallë apo jo.

A keni ju dyshime për fatin e djalit tuaj?

Mateo lindi pa baba, i cili e braktisi dhe nuk ishte kurrë aty, për asgjë. Unë jam e qartë. Ky person u rishfaq me një qëllim të caktuar. Për të rrëmbyer fëmijën tim, vetëm për qëllime të këqija. Unë kam shumë frikë se ai person është zhytur në krim. Kemi dyshime të forta se djali mund të jetë shitur, dyshoj te lidhja e tij me një grup mafiozësh që merren me trafikim të bebeve dhe kam shumë frikë nëse im bir jeton më apo jo.

A ka dyshime gjithsesi se fëmija mund të ketë përfunduar në Siri?

Policia e ka hedhur si dyshim edhe këtë mundësi. Kjo për faktin se ai person nuk kishte asnjë leje qëndrimi, pa punë, pa shtëpi. Sigurisht që mund të jetë larguar, me apo pa fëmijën tim, për në Siri.

Sensibilizimi në mediat greke ka qenëdhe vazhdon të jetë i madh. Ngjarja është mësuar dhe nga autoritetet shqiptare. Duke mbetur këtu, a keni pasur ju kontakte me ta dhe a ju kanë shtrirë dorën për ndihmë?

Jo. Unë kontakte kam dashur të kem, por nuk më është ofruar ndihmë. Në të vërtetë, kam dashur shumë, por shteti im, i djalit tim, sepse fëmija mban identitet shqiptar, të ndërhyjë qoftë dhe duke më mbështetur emocionalisht dhe pse jo, të kërkojë nxitje të përpjekjeve për të mësuar fatin e djalit tim. Në të kundërt, jam mbështetur shumë psikologjikisht nga “To hamogjelo tu pedhiu” (Buzëqeshja e fëmijës), një qendër për rastet e fëmijëve të humbur.

Po me ambasadën e Greqisë në Siri a keni pasur kontakte?

Po. Ne jemi lidhur me ta dhe kanë deklaruar se po bëjnë përpjekje për të zbuluar diçka por deri tani nuk na kanë dhënë asnjë informacion.

Cili është apeli që do të donit të drejtonit?

Unë kam një thirrje të fortë për të gjithë ata njerëz që mund të dinë diçka për fatin e Mateos sim. I lutem të më ndihmojnë duke treguar çdo gjë që mund të dinë për të. I drejtohem veçanërisht atyre personave që e njihnin dhe kishin shoqëri me atë person që kur unë u kam kërkuar të më tregojnë ku u zhduk, pasi rrëmbeu fëmijën, kanë ngurruar duke mbledhur buzët.Por unë i bëj një apel shtetit tim që të jetë prezent në këtë ngjarje. Shteti im nuk gjendet kërkund ndaj dua që të më ndihmojë në këtë tmerr që na ka kapluar këtu në kurbet.

 

Gjyshja e Mateo Dullisë rrëfen tmerrin që po përjeton në kërkim të nipit të saj

“Kur kërkojmë djalin, na thonë: Po shteti juaj çfarë po bën?”

Në banesën e familjes Dullia në Kukaki të Athinës jetojnë në një shtëpi të vogël Albana, nëna e Mateos, vëllai i saj dhe nëna e tyre, Teuta. Teuta shprehet e pikëlluar për dhimbjen që po përjetojnë çdo ditë. “Po kalojnë 72 ditë që nuk e kam më djalin në prehër. Më mungon shumë.

Vuaj për të, sikundër vuan ime bijë dhe im bir. Jemi të shkatërruar”-thotë gjyshja e vogëlushit të zhdukur. Kur e pyesim cilat janë informacionet më të fundit për vogëlushin, shprehet pesimiste: “Unë e kuptoj që shteti grek po tregon se ka bërë dhe po bën përpjekje për të gjetur djalin tonë apo për të mësuar për fatin e tij. Por sinqerisht nuk e kuptoj pse shteti ynë na qëndron kaq larg”.

Teuta tregon se ka shkuar në ambasadën e Shqipërisë në Athinë ku ka kërkuar ndihmë. “Unë u tregova atë që kishte ndodhur dhe ata më përcollën me fjalët, nëse ke denoncuar në polici dhe ata po merren me këtë gjë, ne nuk kemi ç’të bëjmë më shumë”.

Teuta tregon se i ka bërë përshtypje një fakt tjetër: “Kur u lidhëm me ambasadën në Siri, na thanë: Pse autoritetet shqiptare, që kanë ambasadë në Egjipt dhe që mbulon Sirinë nuk lidhen me ne për të koordinuar punën”. Gjyshja e Mateos, bën edhe ajo një apel: “I bëj thirrje vendit tim, qeverisë së vendit tim që të bëhet e gjallë dhe të na ndihmojë në këtë gjëmë. Më së paku të përjetojnë hallin tonë dhe të na mbështesin në përpjekjet tona”.


Rrëmbimi

Mateo Dullia u zhduk më datë 7 shtator 2007, mbi dy muaj më parë, nga zona e Kukakit, në Athinë.

Ditën që u zhduk, vogëlushi kishte të veshur, bluzë ngjyrë portokalli dhe jeshile si dhe pantallona po ashtu në ngjyrë portokalli, ndërsa mbante në këmbë, një palë këpucë ngjyrë bezhë.

Kërkimet e deridjeshme të familjes Dullia dhe të afërmve e miqve të tyre, policisë dhe Qendrës kombëtare greke për fëmijët e zhdukur dhe dhunuar, kanë rezultuar të pasuksesshme.

I dyshuari

Personi që identifikohet nga policia si autor i rrëmbimit të fëmijës, është Hasan Kerim (shiheni tek fotoja bashkëlidhur), 34- vjeçar nga Siria, emigrant klandestin prej kohësh në Greqi. Vendbanimi i tij i fundit që i njihet është në zonën e Glifadhës në Athinë.

“Fëmija është rrëmbyer nga 34-vjeçari i identifikuar me emrin Hasan Kerim, 34 vjeç, shtetas sirian, emigrant i paligjshëm në Greqi”, është deklarata zyrtare e lëshuar nga policia e Athinës.

“Hasan Kerim është i paligjshëm në Greqi. Ai është i gjatë 167 centimetra dhe ka peshë 60 kilogramë”, - shtoi policia e kryeqytetit grek e cila theksoi se po investigon intensivisht për ngjarjen që ka sjellë trishtim të thellë në familjen Dullia.

SOS

Cilido person i cili mendon se ka të dhëna për vendndodhjen e fëmijës mund të telefonojë menjëherë në numrin SOS 1056, që është një linjë e cila funksionon brenda Greqisë, apo në numrin tjetër, 0030 210 7609554.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

  • NIKI: - 11-21-08
    Dhemje per djalin

    Me vjen shume keq per femijen e vogel, por kjo vajze e bukur shqiptare a thua nuk ka mundur qe te gjeje nje burre shqiptar. Po sepaku sikur ti kish ngjare emrit te vet Albana dhe emrin te enne se vet. Kjo ka shkuar ne te kunderten te marre nje arap sikur te thuash se nuk ka pasur djem shqiptar te cilet do e shiqonin si kokerr meli. Tani asaj i ngle te marrtohet me nje zezak ndoshta.

  • beni: - 11-19-08
    siriani

    po ti moj zonje a nuk e gjete nje shqiptar qe te kenaqe por more nje sirian

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML