Vlorë, Josiv Marko ka kërcënuar ish- gruan e tij dhe ka nisur të godasë me grushte derën e shtëpisë së saj
VLORË- Një 47- vjeçar nga Vlora ka kërcënuar ish- bashkëshorten e tij 14 pas divorcit të tyre. Ai ka qenë i dënuar edhe më parë për sjellje të pahijshme dhe tashmë duhet të përgjigjet për akuzat e kërcënimeve dhe armëmbajtjes pa leje. Burimet e policisë pohuan se Josiv Marko është gjetur mbrëmjen e djeshme pranë banesës së ish-bashkëshortes së tij në lagjen “24 maji” të Vlorës.
Pasi ka njoftuar prezencën e tij, burri ka qëlluar me shkelma e me grushte derën e jashtme të banesës, duke kërcënuar se do t’i vriste dhe hidhte në erë. Zhurma e madhe që bëhej përjashta, ka detyruar familjarët që ndodheshin brenda të njoftojnë menjëherë policinë. Mbërritur në vendngjarje, efektivët kanë bërë arrestimin në flagrancë të Josiv Marko, me gjendje gjyqësore të dënuar më parë për sjellje të pahijshme me 27 muaj burg.
Gjatë kontrollit fizik, personit iu gjet brenda xhupit që mbante veshur, një sasi lënde plasëse të fillit zjarr përcjellës dhe një kapsollë detonatore. Sipas policisë në shtëpinë e shtetasit ne fjale janë gjetur nje sasi e konsiderueshme kapsollash detonatore, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Ndaj 47- vjeçarit rëndojnë tashmë akuza e kanosjes dhe prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Siç mësohet, Marko është ndarë me bashkëshorten e vet 46 vjeçaren V. Loria, 14 vjet më parë, martesë nga e cila ata kanë dy vajza.