Gjykata e Tiranës i jep të drejtë të pandehurve të dosjes së skandalit të rrugës Durrës-Kukës, Teliti dhe Toma
Gjyqtari Tona e cilësoi të paligjshëm vendimin për zgjatjen e afateve, duke urdhëruar prokurorinë të mbyllë dosjen
TIRANË- Gjykata e Tiranës “urdhëron” Prokurorinë e Përgjithshme të mbyllë hetimet dhe të dorëzojë dosjen e skandalit të rrugës Durrës-Kukës. Paraditen e djeshme, gjyqtari Sokol Tona vendosi të pranojë kërkesën e avokatit të dy ish-zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Transporteve, Armand Teliti dhe Andi Toma, duke shpallur të paligjshëm zgjatjen e afateve hetimore të dosjes.
Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, pasi u mor në shqyrtim kërkesë- padia e bërë nga dy të pandehurit e kësaj dosjeje, ish-zvministrit të Transporteve, Armand Teliti dhe ish-drejtorit juridik në këtë ministri, Andi Toma dhe pretendimi i prokurorit Arben Kraja u vendos që të mos kryhet asnjë veprim hetimor në dosjen e rrugës Rrëshen-Kalimash.
Ky vendim shfuqizoi vendimin e datës 6 nëntor të Prokurorisë së Përgjithshme për zgjatjen e afateve hetimore edhe për një muaj për të pandehurit e kësaj dosjeje dhe personit nën hetim, Lulëzim Basha.
“Pasi dëgjoi palët në proces dhe shqyrtoi provat materiale dhe argumentet e të dyja palëve, Gjykata e Tiranësvendosi të pranojë kërkesën e avokatit dhe dy të pandehurve të dosjes hetimore me numër procedimi 1 të vitit 2007, shtetasit Andi Toma dhe Armand Teliti, si dhe shfuqizim e vendimit të datës 6 nëntor 2008 të organit të akuzës për zgjatjen e afateve hetimore edhe për një muaj, deri më 6 dhjetor”,-thuhet në vendimin e gjyqtarit Sokol Tona.
Para se Tona të shprehej me vendim, avokati mbrojtës i dy të pandehurve, Genc Gjokutaj, reagoi edhe mbi kompetencën e gjykimit të kësaj kërkese nga Shkalla e Parë dhe jo Gjykata e Lartë. “Kemi të bëjmë me të njëjtin rast kur një person me imunitet që ndodhet nën hetim edhe në rastin e Gërdecit është gjykuar pranë kësaj gjykate”,-tha avokati Genc Gjokutaj, duke shtuar se mosmbarimi i hetimeve është një çështje politike e organit të akuzës. Pas fjalës së avokatit, kanë reaguar edhe të pandehurit Teliti e Toma duke e cilësuar këtë hetim një çështje politike.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit Kraja, i cili u shpreh se po kryhen ende hetime për këtë çështje. “Shtyrja nuk ka paragjykim politik dhe tendenca të tjera. Po kryhen të gjitha konkluzionet. Të pandehurit Andi Toma dhe Armand Telitit kanë paraqitur një memorje dhe me datën 6 tetor të këtij viti, në prani të avokatëve të tyre i është vënë në dispozicion raporti i ekspertëve kontabël i cili është rreth 30 faqe, ku 23 janë me konkluzione, ndërsa 7 janë me tabela.
Zgjatjen e kam bërë një muaj dhe në përfundim të kësaj kohe do t’i jap drejtim përfundimtar dosjes”,-tha prokurori Arben Kraja, para shpalljes së vendimit.Ndër arsyet e shtyrjes së hetimit edhe për një muaj, prokurori ka përmendur edhe faktin se të pandehurit janë politikanë dhe kanë pasur axhendë të ngjeshur. Pas tërheqjes për vendim, gjykata shfuqizoi vendimin e zgjatjes së afateve hetimore edhe për një muaj, duke “urdhëruar” Prokurorinë e Përgjithshme të mbyllë hetimet.
REAGIMI
Prokurori Kraja: Do të apelojmë vendimin
Prokurori i çështjes, Arben Kraja, i pyetur mbi vendimin e togave të zeza u shpreh se: “kemi të drejtën e apelimit dhe ky vendim do të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit, pasi jemi kundër pranimit të kërkesës së të pandehurve”.
Sipas akuzës, ish-ministri i Transporteve, Lulëzim Basha, dyshohet se ka shpërdoruar detyrën gjatë projektimit, tenderimit dhe deklarimit të fituesit për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, konkretisht të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Dy të pandehurit e tjerë, Armand Teliti dhe Andi Toma akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “ushtrim të ndikimit të paligjshëm tek vartësit”.