Prokuroria e Durrësit heton krerët e policisë dhe doganës së Durrësit. Kalojnë mallra kontrabandë gjatë natës
DURRËS- Mbi 100 kamionë me mallra dyshohet se kanë kaluar në doganën e Durrësit, në orët e natës. Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për drejtuesit e policisë së Portit, por edhe zyrtarë të tjerë civilë, të cilët dyshohet se kanë lejuar kalimin e mbi 100 kamionëve,pa paguar detyrimet doganore.
Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës, të cilët shtuan se me arrestimin e dy doganierëve të portit Durrës, Ilir Mujani dhe Dashamir Leka, të cilët u lanë të lirë nga Gjykata me masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, janë zbardhur dyshime të forta se nga kjo pikë e kalimit kufitar kalojnë kamionë me mallra të ndryshëm, pa paguar detyrimet doganore.
“Nga verifikimet disamujore të policisë dhe raporteve të përgatitura nga efektivët e policisë kriminale, dyshohet se brenda 11 muajve të këtij viti në Shqipëri kanë hyrë pa paguar doganën e mallrave që transportojnë rreth 100 kamionë të firmave të ndryshme. Kamionë të cilët kanë kaluar traun e portit, pas mbylljes së orarit zyrtar të punës së doganës që është ora 22:00 e darkës”,-thuhet nga prokuroria.
Sipaszyrtarëve të mësipërm, me marrjen e këtyre informacioneve dhe raporteve të shërbimit të efektivëve të policisë, prokuroria e Durrësit ka ngritur një grup pune me në krye prokurorin Sokol Nishani,i cili ka regjistruar procedimin penal dhe ka filluar hetimet intensive për të zbardhur këtë shmangie të detyrimeve doganore nga biznese të ndryshme, në bashkëpunim me policë dhe doganierë të kësaj pike të kalimit kufitar.
“Orari i punës së doganës për çdo zhdoganim të mallit të ardhur në rrugë detare kryhet brenda orës 7:00 të mëngjesit dhe 22:00 të darkës. Pas kësaj ore, doganat nuk funksionojnë për vlerësimin dhe zhdoganimin e mallit. Në të vërtetë, me mbylljen e këtij orari zyrtar disa punonjës të policisë së Portit, në bashkëpunim me punonjës të doganës lejonin kalimin e kamionëve pa paguar detyrimet doganore”,-thuhet nga prokuroria.
Nga dyshimet e ngritura rezulton se e gjithë kjo lëvizje e kamionëve të ngarkuar me mallra që kalonin traun pa u zhdoganuar bëhej me dijeninë e shefave të tyre, si në drejtimin e Portit ashtu edhe të policisë së kësaj pike të kalimit kufitar.
Katër ditë më parë, ishte institucioni i akuzës, i cili lëshoi urdhër -arrestet për dy punonjësit e doganës së Durrësit,Ilir Mujani dhe Dashamir Leka, ku sipas prokurorisë me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, por togat e zeza pranuan kërkesën e avokatëve që dy të arrestuarit të hetohen nën masën e sigurisë “detyrim për paraqitjeje” deri në përfundim të hetimit.
Sipas prokurorisë, dy doganierë e doganës së Durrësit kanë bllokuar padrejtësisht mjetin tip “Audi” me targa “BV 399 NT”, në kundërshtim me detyrën e tyre, duke u bërë pengesë për një shtetas të cilin nuk e kanë lejuar të kalojë traun e territorit të doganës, bashkë me mjetin që dispononte.
Pas denoncimit të pronarit të mjetit, prokuroria ka shkuar në vendngjarje dhe ka verifikuar rastin, ku ka rezultuar se dokumentacioni i mjetit ishte i rregullt dhe se pengesat ishin bërë në kundërshtim me rregulloret përkatëse të doganës. Për këtë arsye atyre u janë vënë prangat për 48 orë, kohë kjo kur Gjykata ka shqyrtuar kërkesën për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë.