Graso-Alibeajt: Ekzekutoni dënimet e dhëna në Itali
Prokurori i Antimafias italiane, Pietro Grasso kërkoi mëngjesin e djeshëm nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ekzekutimin e vendimeve penale të shtetit italian, duke kërkuar që këto vendime të mos mbesin në letër.
Flamur Vezaj
Merkure, 19 Nentor 2008 09:22:00
Kreu i Antimafias Italiane ka kërkuar dënimin e personave që kanë kryer krime në Itali
TIRANË- Prokurori i Antimafias italiane, Pietro Grasso kërkoi mëngjesin e djeshëm nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ekzekutimin e vendimeve penale të shtetit italian, duke kërkuar që këto vendime të mos mbesin në letër. “Është shumë e rëndësishme që vendimet gjyqësore të mos mbeten në letër, por të zbatohen.
Kjo pasi personat e dënuar në Itali rikthehen në vendet e tyre, duke vazhduar aktivitetet e tyre kriminale”,-tha mes të tjerash shefi i prokurorisë së antimafias italiane, Grasso. Sipas tij, kjo ishte edhe arsye e vizitës së tij në Shqipëri, duke kërkuar thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve fqinjë për të luftuar krimin e organizuar. “Kjo ishte një nga arsyet e vizitës time në Shqipëri”, -u shpreh ai, duke shtuar se: “pa këtë bashkëpunim nuk mund të kemi asnjë shpresë për të luftuar krimet që nisin në një shtet dhe përfundojnë në një tjetër”.
Në fjalën e tij, ministri Alibeaj vuri theksin në çështjet e bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore dhe zbatimin e vendimeve penale të Gjykatave të dyja vendeve. Në këtë drejtim, ministri Alibeaj deklaroi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Përbashkët me Italinë për ekzekutimin e vendimeve penale, është një arritje e madhe mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar.
“Një numër i madh vendimesh janë ekzekutuar dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të krijuar kështu edhe një dekurajim të krimit”,-theksoi ministri Alibeaj. Duke u shprehur optimist për bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar.
|