Kreu i Policisë së Shtetit pohon se janë arrestuar 23 femra gjatë kohëve të fundit
TIRANË- Në trafikun e heroinës, të implikuara edhe shumë femra. Për shpërndarjen e drogës në vend kohët e fundit duket se janë angazhuar edhe femrat, fakt të cilin e tregojnë disa operacione të policisë që kanë çuar në pranga disa prej tyre.
Një fakt të tillë e ka pohuar edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, i cili deklaroi se janë arrestuar rreth 23 femra gjatë kohëve të fundit, pasi ishin përzier në grupe të trafikimit të lëndëve narkotike në vend. Sipas Prençit, policia i ka dhënë prioritet goditjes së shpërndarësve të grupit të heroinës kryesisht në ambientet publike si në shkolla.
“Policia ka proceduar penalisht 174 shtetas dhe gjithashtu në këtë fenomen janë përfshirë edhe 23 femra të cilat janë proceduar penalisht”,- u shpreh kreu i policisë së shtetit, Ahmet Prençi. Sipas tij , Shqipëria nuk është më në listën e vendeve tranzit për trafikimin e drogës. “Ka një devijim të trafikut të drogës ku evitohet përgjithësisht Shqipëria, në veri të Shqipërisë, nga Mali i Zi për në drejtim të Kroacisë e Sllovenisë, dhe nga Maqedonia për në drejtim të shtetit grek”, -u shpreh Prençi.
Ndërkohë vetëm pak ditët e fundit policia ka goditur disa grupe të trafikimit të lëndëve narkotike. Gjatë një operacioni, policia sekuestroi një sasi heroinë dhe mes të arrestuarve ishte edhe një studente e Mjekësisë. Ndërsa në kryeqytet pak muaj më parë u arrestuan dy femra, pasi ishin pjesëtare të një grupi të përbërë prej 15 personash, të cilët shpërndanin heroinë në vende të ndryshme të kryeqytetit.