Drejtuesi i qendrës “His Children” shpallet fajtor për dhunimin seksual të të miturve
TIRANË- Gjykata e Tiranës dënon me 20 vjet burg David Braun, duke u bindur pas 10 muajsh gjyq se ai ka kryer marrëdhënie homoseksuale me të mitur. Treshja gjykuese, e drejtuar nga gjyqtari Gerd Hoxha, pas shqyrtimit të dosjes në 29 seanca gjyqësore, vendosi dje të shpallë fajtor kreun e qendrës “His Children”, për një nga skandalet më të mëdha të dhunës seksuale mbi të miturit, të ndodhur në vend.
Vuajtjen e dënimit, i pandehuri 60- vjeçar urdhërohet të vuajë në një burg të sigurisë së lartë dhe pas kryerjes së viteve të burgut, Braun do të dëbohet nga Shqipëria. “Është provuar dhe faktuar se i pandehuri David Braun ka abuzuar me dy të mitur të moshës 6 dhe 7 vjeç, në kohën kur këta të mitur jetonin dhe banonin në qendrën bamirëse “Fëmijët e tij” që ndodhej në rrugën “Dervish Hekali”, në banesën private me nr. 32, për shkak të kushteve të këqija ekonomike pranë familjeve të tyre”,-thuhet në vendimin e gjykatës.
Ndërkohë tre javë më parë, prokurori i çështjes Kol Hysenaj, në leximin e konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga gjykata të njëjtën masë dënimi për David Braun, duke e akuzuar atëpër kryerjen e kësaj vepre të rëndë penale. Vetë i pandehuri Braun, gjatë fjalës së tij seancën e kaluar, ka kërkuar nga gjykata drejtësi, duke pretenduar për të disatën herë se ishte impotent dhe nuk mund të kryente marrëdhënie homoseksuale, për shkak të sëmundjes së fimozës.
Gjithashtu, i pandehuri Braun ka akuzuar për abuzim me fëmijët dy ish-punonjës të kësaj qendre bamirëse që po gjykohen në një proces tjetër gjyqësor, të pandehurit Dino Christodulu dhe Robin Arnold. Arrestimi i shtetasit anglez David Braun u bë më 18 maj të vitit 2006, pas kallëzimit të disa të miturve, të cilët akuzonin ish-administratorin e qendrës së bamirësisë “Fëmijët e tij” se abuzonte seksualisht me ta.
Vetë Vraun akuzoi dy ish-ndihmësit e tij, Dino Christodolu dhe Robin Arnold për abuzimet me fëmijët,të cilët u ekstraduan vetëm pak muaj më parë dhe po gjykohen në vendin tonë. Kanë qenë disa nga fëmijët që kanë qëndruar në këtë shtëpi bamirëse, të cilët kanë denoncuar në sallën e gjyqit se i pandehuri Braun bashkë me dy të pandehurit e tjerë kanë abuzuar me ta seksualisht, në kohën e qëndrimit të tyre në qendrën e bamirësisë.