BURGJET/ Në grevën e zhvilluar në burgun e Shënkollit njëri nga të dënuarit vendosi të qepë gojën me pe
Nikolli ka kërkuar të përfitojë, sipas ligjit, nga lejet për të takuar familjen e tij, por nuk i është dhënë mundësia
SHËNKOLL – Qep gojën për të fituar të drejtën e takimit të familjes, ashtu siç e kërkon ligji. Ndue Nikolli, i cili vuan dënimin në burgun e Shënkollit ka gjetur një formë të “veçantë” për të realizuar grevën e urisë: duke qepur gojën me pe dhe duke mos pranuar kështu as bukën e as ujin. E tmerrshme mënyra e realizimit të kësaj greve, krejt ndryshe nga ç’ndodhi me të dënuarit e tjerë të këtij burgu. Burime të brendshme nga ky institucion i vuajtjes së dënimit bënë të ditur se 54-vjeçari Ndue Nikolli, nga fshati Xhuxhë i Fanit të Mirditës, gjatë kohës së grevës së urisë qepi buzët me pe.
Madje, për të mos u infektuar, perin e kaloi në një sasi speci djegës. I gjithë ky makabritet bëhet pasi, edhe pse ka kaluar gjysmën e dënimit, deri më tani nuk ka përfituar asnjëherë nga leja për sjellje të mirë që, sipas tij, e ka manifestuar gjatë kohës që është në burg. Mësohet se 54-vjeçari ka dalë disa herë para gjykatës për të kërkuar ulje dënimi, por asgjë nuk i është dhënë. Ndue Nikolli është dënuar pasi tentoi të vriste tre shtetas gjashtë vite më parë.
Gjithçka kishte si bazë motivin e pronësisë. Mësohet se zanafilla ishte me lëvizjen e familjes Nikolli nga fshati Xhuxhë i Mirditës për në Tiranë. Në kryeqytet ata blenë një pronë rreth 5 dynym nga një shtetas, pranë Uzinës së Autotraktorëve. Për këtë pronë u pagua një shumë prej rreth 40 milionë lekësh. Aty Nikolli mbolli pemë e ndërtoi shtëpinë e tij.
Por, disa kohë më pas, pronës së blerë i doli një tjetër pronar, i cili pretendonte se personi që ia kishte shitur tokën nuk ishte i zoti i vërtetë. Problemi nuk u arrit të sheshohej në mes palëve derisa erdhi konflikti i përgjakshëm, kur Ndue Nikolli plagosi me armë automatike tre persona të familjes që pretendonte se toka ku ai kishte ngritur shtëpinë ishte e vetja. Që prej asaj kohe ai u dënua, ndërsa tani thuajse ka humbur gjithçka.
Ndër fatkeqësitë e shënuara për familjen e Nikollit është dhe humbja e njërit prej djemve të tij, i cili ishte nisur për në Greqi, por prej vitesh nuk dihet se ku ndodhet, pasi figuron i zhdukur. 54-vjeçari pretendon se i është mohuar e drejta e lejes edhe pse ka paraqitur kërkesa të shpeshta, ndaj si formë proteste ka zgjedhur kyçjen me fije peri të gojës.
Edhe pse drejtues të burgut i kanë kërkuar që të sqarohen duke e hapur gojën, ai nuk ka pranuar, vetëm me shkrim, duke refuzuar gjithçka lidhet me shprehjen përmes të folurit dhe të ngrënit gjithashtu. Duket se në vendimin e autoriteve të burgut për të mos dhënë leje mund të ketë ndikuar fakti se mes dy familjeve mund të ketë sërish konflikt. Por kjo nuk është justifikuese për 54-vjeçarin që realizoi një nga grevat më të pazakonta në burgjet shqiptare.