GRINDJA/ Grindet me pronarin e lokalit se i kërkoi të ulë zërin dhe më pas tenton ta vrasë me kallashnikov
BERAT- Një grindje e çastit për pak sa nuk shkaktoi një viktimë mbrëmjen e së martës. Një 31-vjeçar tentoi të vrasë me armë zjarri fqinjin e tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:15 në lagjen “ Donika Kastrioti” në një lokal. Altin Frashlliu, pas një grindjeje tentoi të vrasë me armë zjarri fqinjin e tij dhe pronarin e lokalit I.Sulka.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se 31-vjeçari Frashlliumbrëmjen e së martës ishte në lokalin e Sulkës duke pirë nën shoqërinë e disa shokëve të tij. Ndërkohë, ky i fundit ka debatuar me shokët e tij të tavolinës, gjë e cila ka tërhequr vëmendjen e pronarit të lokalit, i cili i ka kërkuar Frashlliut të qetësohet, por është përballur me kundërshtimet e tij.
Si rrjedhojë ka nisur një debat me pronarin e lokalit, që ka degjeneruar në një sherr të vërtetë mes tyre. Më pas Frashlliu është larguar nga lokali dhe pas disa çastesh është rikthyer me një armë në dorë, duke tentuar të qëllojë mbi kundërshtarin. Kanë qenë klientët e tjerë të lokalit, të cilët sapo kanë parë Frashlliun me armë, kanë kërkuar menjëherë ndihmën e policisë.
Grupi i gatshëm dhe më pas ekspertët e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Uniformat blu kanë bllokuar brenda lokalit 31-vjeçarin me armë në dorë dhe më pas e kanë dërguar në dhomat e paraburgimit. Policia sekuestroi armën e llojit “kallashnikov”, dy krëhëra të mbushur. Policia pohoi se 31-vjeçari do të përballet me akuzat e “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë” dhe “ armëmbajtjes pa leje”.