ZJARRVËNIA/ Makina që i përkiste një tregtareje në Vlorë është përfshirë nga flakët orët e vona të mbrëmjes
VLORË - Një shpërthim i fuqishëm u dëgjua mbrëmjen e së martës në qytetin e Vlorës, ku një automjet mori flakë dhe bëri një zhurmë që përcolli jo pak alarm te banorët e zonës. Pronarja e automjetit është 53-vjeçarja Meneka Xhemali, e cila ka një aktivitet tregtar në Vlorë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 në lagjen “28 Nëntori”. Banorët e zonës dëgjuan një shpërthim mjaft të fortë, që e përkufizuan si shpërthim lënde plasëse dhe panë një makinë që digjej në flakë. Menjëherë në vendngjarje mbërriti policia, si dhe efektivë të zjarrfikësve, për të bërë të mundur shuarjen e flakëve. Gjithsesi, automjeti u dëmtua tërësisht.
Nga deponimet që gruaja ka dhënë në polici, mësohet të ketë deklaruar se nuk ka pasur konflikt me persona të tjerë. Siç mësohet, hetimet janë orientuar në dy pista: një shpërthim i ndikuar nga persona të tjerë, të dyshuar të kenë përdorur mjete artizanale, të tipit shishe benzine ose një përfshirje nga flakët për shkaqe defekti me pasojë shpërthimin e natyrshëm të këtij mjeti.
Dje në mëngjes policia dha informacion zyrtar për ngjarjen, duke deklaruar se automjeti me targa VL 2692 C, me ngjyrë të bardhë, ka marrë flakë, duke mos dhënë zyrtarisht një variant të shkaqeve që ndikuan zjarrvënien. Të pyetur për ngjarjen, burime zyrtare nga policia pohojnë se nuk ka dëmtime të tilla të dyerve duke u deformuar, çka mund të ndikonte dyshime për një lëndë plasëse, por flitet për një situatë zjarri. Pikërisht kjo e fundit po hetohet. Burime të tjera po nga policia pohojnë se mund të flitet për një hedhje lënde që ka ndikuar në marrjen zjarr të automjetit. Po hetohet për të zbardhur përfundimisht ngjarjen.