Mungesa e një tjetër avokati mbajti dje peng dëshminë e të penduarit të bandës, Adriatik Coli
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet vendosi të shtyjë edhe një tjetër herë seancën gjyqësore kundër anëtarëve të bandës së Durrësit,për arsye të mungesës së avokatëve. Shkak për shtyrjen e seancës së 47-të gjyqësore u bë mungesa e mbrojtësit ligjor të të pandehurit Indrit Dokle, avokatit Petraq Semani, i cili ka justifikuar mungesën e tij me gjendjen jo të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, shtyrja e seancës u pasua me pezullimin e afateve të hetimit ndaj 16 të pandehurve, pasi shkak për shtyrje u bë avokati i tyre mbrojtës. Prokurori i çështjes, gjatë fjalës së tij para Gjykatës së Krimeve të Rënda kërkoi të zhvillojë procesin gjyqësor ndaj 16 të pandehurve për çdo ditë, me pretendimin se: “u bënë 18 muaj që procesi nuk zhvillohet normalisht”.
Kjo kërkesë e prokurorit nuk u mor parasysh nga gjykata, pasisipas kryesuesit të togave të zeza, Gurali Brahimllari, nuk ishte momenti i shprehjes së kërkesave, pasi gjykata doli me vendim për ndërprerjen e seancës. “Kërkesën bëjeni në seancën e radhës së javës që vjen”,-i ka thënë gjyqtari Brahimllari prokurorit të çështjes.
Sipas prokurorisë, 16 të pandehurit e kësaj “bande” akuzohen për një sërë veprash të rënda penale mes tyre disa vrasje të ndodhura pas vitit 1997 – 2005 kryesisht në qytetin e Durrësit. Shumë prej të akuzuarve si anëtarë të “bandës” së Durrësit janë arrestuar këto tre vitet e fundit në operacione të organizuara nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.