Pas arrestimit të studentit të Ekonomikut, Klodian Basha, Prokuroria e Krimeve të Rënda është në kërkim të bashkëpunëtorëve
Prokuroria dyshon se rrjeti i trafikut nga Lazarati në Greqi drejtohet prej një personi në burgun 313
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda zbardh detaje nga arrestimi i studentit të Fakultetit Ekonomik, 24 -vjeçarit Klodian Basha për trafikimin e 108 kg hashash në drejtim të Greqisë.
Sipas burimeve zyrtare të organit të akuzës mësohet se studenti 24- vjeçar, Basha ishte pjesë e rrjetit të organizuar që trafikonte hashash nga fshati Lazarat në drejtim të Greqisë në rrugë tokësore nga “korrierë” të paguar me shuma të ndryshme parash. Madje, hetuesit e kësaj çështjeje dyshojnë se ky rrjet i trafikut të hashashit drejt Greqisë drejtohej nga një person i arrestuar, që ndodhet në qelitë e paraburgimit “Jordan Misja” në kryeqytet.
“Pas arrestimit të shtetasit Klodian Basha, marrjes së tij në pyetje dhe zbardhjes së të gjitha telefonatave në celularin e studentit rezulton se një numër celulari që ndodhet në zonën e lagjes së burgut. Ai është telefonuesi më i shpeshtë i studentit që tentoi të trafikonte hashashin në Greqi.
Nga këto të dhëna të siguruara me metoda speciale janë ngritur dyshime se një nga personat që organizon këtë linjë trafiku ndodhet në qelitë e paraburgimit 313 dhe është nga fshati i Lazaratit”,-thuhet nga burimet e akuzës. Hetuesit e çështjes po punojnë për identifikimin e personit që disponon këtë numër telefoni që ndaj të tij të ngrihet sërish akuza për “trafik të lëndëve narkotike” në bashkëpunim.
Nga organi i akuzës mësohet gjithashtu se prokurori i çështjes, Eugen Beçi po punon për zbardhjen e linjës së trafikut të drogës nga Lazarati në Gjirokastër dhe më pas kalimin e saj në Greqi, në rrugë tokësore nga persona të ndryshëm kundrejt pagesave. “Nga hetimet tre ditore dhe verifikimet e kryera rezulton se i arrestuari Klodian Basha, mbrëmjen e tre ditëve më parë ka qenë i shoqëruar nga dy shokë të tij, të cilët kanë mundur të ikin duke i shpëtuar arrestimit.
Tashmë janë identifikuar personat me anë të gjurmëve të gishtave dhe të dhënave të zbardhura nëpërmjet numrave të telefonit dhe pritet që në ditët në vazhdim të arrestohen bashkë me furnizuesit e tyre, që janë disa kultivues të hashashit në fshatin Lazarat”,-sqarojnë për “Shekullin” të njëjtat burime.
Paraditen e djeshme, me kërkesë të prokurorit Eugen Beçi, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të izolojë në qeli studentin e ekonomikut Klodian Basha, deri në përfundim të hetimeve. Vetë 24- vjeçari kërkoi që të lirohet për të vazhduar shkollën që ndiqte në Fakultetin e Ekonomikut në Gjirokastër në vitin e III. “Ju lutem më lironi se duhet të ndjek shkollën, pasi jam në vitin e III të Fakultetit Ekonomik në Gjirokastër.
Hashashin po e dërgoja në Greqi kundrejt një shume parash për shkak të gjendjes jo të mirë financiare që kam”,-mësohet se ka pretenduar i riu. Prokurori Beçi, gjatë fjalës së tij sqaroi gjykatën se arrestimi i 24 vjeçarit Basha është bërë në flagrancë dhe është i ligjshëm, pasi ai bashkë me dy kolegët e tij ka tentuar të dërgojë në Greqi 108 kg hashash kundrejt pagesave të ndryshme.
Gjykata, pasi dëgjoi palët në proces vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë dhe të izolojë me masën e sigurisë “arrest me burg” 24- vjeçarin Klodian Basha. Sipas prokurorisë, i riu 24- vjeçar Basha natën e 17 nëntorit u diktua nga kamerat termike të postës kufitare të Kakavijë, teksa po tentonte të kalonte bashkë me tre personat e tjerë kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë me tre çanta në krahë, të ngarkuara me 108 kg hashash.
Menjëherë njësiti i policisë kufitare është afruar në distancë dhe uka bërë thirrje të ndalojnë, por tre personat nuk i janë përgjigjur thirrjes së policisë, por kanë hedhur çantat përtokë dhe janë larguar me shpejtësi në thellësi të tokës shqiptare, duke përfituar nga errësira dhe nga mjegulla e dendur që kishte mbuluar një pjesë të luginës.