Merkure, 07 Janar 2009 22:28:07

Lexoni versionin Print

Grabitje me plumba në “Raiffeisen Bank”

Banka grabitet në mesditë, ndërsa autori zhduket pa gjurmë. Policia: Dyshojmë se ka grabitur edhe një bankë tjetër

Klodiana Kotorri
Shtune, 22 Nentor 2008 10:38:00


Një djalë i maskuar dhe me doreza mjeku ka vjedhur 800 mijë lekë në një filial banke në Tiranë

TIRANË- Grabitet me armë, në mes të ditës e në qendër të kryeqytetit filiali i bankës “Raiffeisen”. Ngjarja ndodhi rreth orës 13.40 në kryqëzimin e rrugëve “Bardhyl” dhe “4 Dëshmorët” në Tiranë, kur një person i maskuar dhe i armatosur ka hyrë në ambientin e brendshëm të një prej filialeve të “Raiffeisen Bank” dhe nën kërcënimin e armës ka mundur të grabisë 800 000 lekë të reja. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërriti policia e cila nisi hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët. Burime nga policia thanë se nga deklarimet e punonjësve të bankës, autori ka qenë një djalë rreth moshës 25-30vjeç, i maskuar dhe në dorë mbante një pistoletë me anë së cilës ka mundur të kryejë grabitjen.

Grabitja

Rreth orës 13:40, kur në një nga filialet e bankës nuk gjendeshin shumë klientë, ka hyrë një njeri i maskuar në fytyrë dhe me dorashka mjeku në duar. Ai i është afruar arkëtares dhe pasi i ka drejtuar pistoletën i ka kërkuar të gjitha paratë që gjendeshin në arkë. Pasi është përballur me kundërshtimin e arkëtares, grabitësi i maskuar nuk ka hezituar të qëllojë në tavanin e bankës, duke alarmuar gjithë personat që ndodheshin aty. E frikësuar nga pistoleta, punonjësja është bindur duke i dhënë paratë e xhiros. Pasi ka marrë paratë, autori është larguar me shpejtësi. Menjëherë është dhënë alarmi. Drejtuesit e bankës sinjalizuan policinë e cila mbërriti pranë vendin të ngjarjes. Policia shoqëroi punonjësit e bankës të cilët u morën në pyetje, ndërsa bëri këqyrjen e provave në vendin e ngjarjes. Burime nga policia thanë se grabitja zgjati vetëm dy minuta, autori veproi shpejt ndërsa dyshohet se ai ka qenë edhe më parë në ambientet e këtij filiali për të studiuar planin.

Policia

Vetëm pak muaj më parë, një tjetër filial i kësaj bankës që ndodhet te Zogu i Zi në Tiranë u grabit nga një person i maskuar dhe i armatosur. Burime nga policia thanë se dyshohet që edhe grabitja e djeshme të jetë kryer nga i njëjti person, i cili nuk është mundur të identifikohet. Ajo çka mund të thotë policia është se autori mendohet të jetë rreth 25-30 vjeç dhe se ka pasur bashkëpunëtorë, të cilët e kanë pritur pak metra larg bankës dhe e kanë ndihmuar për t’u larguar me shpejtësi, duke i shpëtuar prangave të policisë. “Specialistët e seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë e Armë, për të bërë të mundur identifikimin dhe lokalizimin e autorëve, si dhe  zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se autori i kësaj ngjarjeje në momentin që ka hyrë në ambientet e bankës, ka kërcënuar me pistoletë punonjësen e arkës, për të marrë shumën e parave që ndodheshin aktualisht në arkë shumë e cila dyshohet të jetë rreth 800 000 lekë”, -thuhej në deklaratën e policisë lëshuar pak orë pas grabitjes. Deri në orët e vona të mbrëmjes, policia ka shoqëruar disa persona si autorë të dyshuar të ngjarjes. Por pasi janë marrë në pyetje ata u lanë të lirë për mungesë provash.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML