TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rëndambylli hetimet kundër tëpandehurit Kujtim Demiri, mbi të cilin rëndon akuza e “trafikimit të të miturve”, me qëllim shfrytëzimin për lypje në vendin fqinj, Greqi. Sipas kërkesës për gjykim, të përpiluar nga prokurorja Elisabeta Ymeraj, i pandehuri Kujtim Demiri ka shfrytëzuar gjendjen e keqe ekonomike të çiftit Sefa në kryeqytet, duke ua blerë djalin e tyre 9 vjeç me 10 mijë lekë të reja për ta dërguar atë në Greqi, ku për nëntë muaj e ka shfrytëzuar të miturin për lypje. Sipas akuzës, i mituri është detyruar të lypë rrugëve të Greqisë nën ushtrimin e dhunës fizike e psikike nga i pandehuri Demiri, i cili vazhdon të shijojë lirinë për shkak se ka mundur t’iu shpëtojë prangave të policisë. Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Demiri, në fund të muajt janar 2002 i ka propozuar çiftit Sefa që t’i jepnin djalin 9- vjeçar për ta dërguar në Greqi, ku do lypte për llogari të tij dhe të familjes. “Çmimi i blerjes së djalit ka qenë 10 mijë lekë të reja, ndërkohë që të dyja palët, i pandehuri dhe babai i fëmijës kanë rënë dakord që familja të merrte çdo muaj nga 10 mijë lekë të reja tek familja e të pandehurit Demiri. Sipas këtyre të dhënave, rezulton se kallëzimi i familjes Sefa është bërë në muajin nëntor të vitit 2002, në kohën kur i pandehuri Demiri ishte zhdukur dhe nuk po i sillte më lekë familjes së të miturit, duke e detyruar kështu babanë të trokasë në dyert e policisë për të kallëzuar ish-komshiun që i shfrytëzoi djalin për 9 muaj.
Pas kallëzimit, dosja është pezulluar për mungesë provash e me ndihmën e policisë, prokuroria ka rifilluar hetimet në janar të këtij viti. I pandehuri Demiri, që vazhdon të shijojë lirinë, në shkurt të 2002 në mënyrë ilegale e ka kaluar të miturin asokohe 9 vjeç në Greqi, ku me të mbërritur në vendin fqinj e ka detyruar atë të shtrijë dorën për të lypur dhe të gjithë paratë e siguruara i mbante për vete. “Në përfundim të hetimeve dhe mbledhjes së provave rezulton se i pandehuri Kujtim Demiri, me veprimet e tij që konsistojnë në: rekrutimin dhe transportimin e të dëmtuarit të mitur me qëllim shfrytëzimin e tij, për punë skllavëruese siç është ajo e lypjes, ka konsumuar elementët e veprës penale të “trafikut të të miturit”. Sipas akuzës, të gjitha fitimet e nxjerra nga veprimtaria e ushtruar si lypës nga ana e të dëmtuarit të mitur, kanë shkuar në favor të të pandehurit Kujtim Demiri. Pritet që dosja të hidhet në short pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda ku do të përcaktohet pesëshja gjykuese që do të shqyrtojë akuzat kundër të akuzuarit për trafik fëmijësh, Kujtim Demiri.