GREQI- Tre shqiptarë të akuzuar për vjedhje janë arratisur dje nga dhomat e paraburgimit të një komisariati policie në Thiva. Policia greke bëri me dije dje se tre personat ishin transferuar në rajonin e policisë prej ditës së mërkurë dhe pritej të transferoheshin në Prokurorinë e qytetit për të marrë dënimin për veprat penale për të cilat akuzoheshin. Mësohet se ata kanë prerë hekurat e dritares së qelisë me një sharrë hekuri, e cila nuk dihet se si ka mbërritur në duart e tyre. Ministri i Brendshëm grek, Prokopis Pavllopulos, urdhëroi hapjen e menjëherëshme të hetimeve, ndërsa shkarkoi nga detyra shefin e rajonit dhe oficerin roje të komisariatit të Thivas. Ndërkohë, për këtë arratisje alarmuese kanë nisur hetimet për katër policët e shërbimit, ndaj të cilëve rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës. Ministri i Brendshëm grek që ka dhënë urdhër për hapjen e këtij hetimi ka pezulluar nga puna katër policët si dhe shefin e rajonit të policisë. Sipas mediave greke, tre të arratisurit i përkisnin një grupi prej 11 personash të arrestuar, të gjithë shqiptarë, të cilët akuzohen për një seri vjedhjesh në Greqi. Mediat greke i kanë cilësuar drejtuesit e këtij grupi grabitjesh si tepër të rrezikshëm, ndërkohë që gjatë gjithë ditës së djeshme, policia greke ka organizuar një operacion për arrestimin e të arratisurve.
Për të realizuar arrestimin e tyre janë lajmëruar pikat e kalimit kufitar si dhe autoritetet shqiptare. Mediat greke nuk kanë bërë të ditur identitetin e shqiptarëve të arratisur, por mësohet se ata janë të moshave nga 22-30 vjeç.