Zjarri shkrumbon magazinën e fabrikës së pajisjeve hidrosanitare në autostradë. Dëmi llogaritet në miliona lekë
TIRANË- Zjarri shkrumbon fabrikën e pajisjeve hidrosanitare, duke shkaktuar një dëm prej miliona lekësh. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, kur flakët e zjarrit kanë rënë në magazinat e firmës “Henri sh.p.k” që ndodhet në kilometrin e 6 në autostradën Tiranë-Durrës. Sapo janë diktuar shkëndijat e para të zjarrit, punëtorët kanë dalë me shpejtësi nga magazina e mbushur me pajisje hidrosanitare, duke dhënë alarmin.
Në vendin e ngjarjes mbërritën zjarrfikëse dhe forca të shumta policie. Zjarri është përhapur me shpejtësi i favorizuar nga materialet lehtësisht të djegshme që ndodheshin në magazinë, duke “sfiduar” kështu ndërhyrjen e punonjësve të zjarrfikëses. Këta të fundit kanë qenë në gatishmëri deri në orët e vona të mbrëmjes, pasi ka qenë e vështirë për të shuar zjarrin, i cili ishte përhapur në magazina.
Zjarri
Rreth orës 13:00 të ditës së djeshme, flakët e zjarrit kanë përfshirë magazinat e pajisjeve hidrosanitare pas ndërtesës tregtare të firmës “Henri sh.p.k” që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës. Fill pas konstatimit të flakëve, rreth 22 persona që gjendeshin në fabrikë janë evakuuar menjëherë. Mësohet se përhapja e flakëve të zjarrit ka qenë e menjëhershme, ndërsa punonjësit e zjarrfikëseve u përpoqën të neutralizonin flakët, të cilat rrezikonin edhe objekte të tjera biznesi pranë magazinave të pajisjeve hidrosanitare.
Pjesa e pasme e qendrës tregtare të firmës “Henri sh.p.k” u zhyt në flakë, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve bëri që zjarri të mos përhapej më tej, duke shpëtuar qendrën e xhamtë. Ndërsa magazinat e kësaj firme që gjenden pas objektit tregtar u dogjën plotësisht, flakët vazhduan të përpinin gjithçka gjenin përpara deri në orët e mbrëmjes.
Sipas punonjësve të zjarrfikëses në magazinë ndodheshin pajisje të cilat ishin lehtësisht të djegshme duke stimuluar dhe flakët e zjarrit. Rreth 15 zjarrfikëse nga Tirana, Durrësi e Fushë-Kruja mbërritën në vendin e ngjarjes për të mbajtur nën kontroll flakët, të cilat shkaktuan panik në gjithë zonën për shkak rrezikut të përhapjes.
Masat
Forca të shumta policie rrethuan vendin e ngjarjes, ndërsa mbajtën disa metra larg kureshtarët e shumtë, duke mos lejuar të afroheshin pranë objekteve të përfshira nga flakët. Qarkullimi u ndërpre për disa orë në autostradën Tiranë-Durrës. Vetëm pak metra larg magazinave të cilat po digjeshin ndodhej një nënstacion elektrik, që rrezikohej të përfshihej nga flakët. Për të shmangur ndonjë rrezik, u ndërpre linja e energjisë elektrike në zonën përreth, ndërsa në orët e mbrëmjes punonjësit e zjarrfikëses kanë mundur të punojnë në efektin e dritave të makinave.
Pasi janë boshatisur e furnizuar disa herë, punonjësit e zjarrfikësit e kanë parë të arsyeshme të merrnin ujë nga lumii Lanës që kalon pranë magazinave të pajisjeve hidrosanitare. Flakët e zjarrit janë shuar plotësisht rreth orës 20:30 të mbrëmjes, duke lënë pas rrënojat e magazinave dhe shumë dëme materiale.
Pas shuarjes së flakëve, policia e Tiranës nis hetimet: Dyshojmë se u shkaktua nga një shkëndijë
Hetohet energjia, por edhe zjarrvënia e qëllimshme
Një grup ekspertësh nga policia e Tiranës është formuar për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit në fabrikën e pajisjeve hidrosanitare të firmës “Henri sh.p.k”. Deri në orët e vona të mbrëmjes, prania e forcave të policisë ka shërbyer vetëm për të mbajtur larg kureshtarët dhe për të evakuuar njerëzit që mund të gjendeshin në objektet e përfshira nga flakët e zjarrit.
Ndërsa gjithçka ishte angazhuar për neutralizimin e flakëve të zjarrit të cilat rrezikonin objektet përreth magazinave, të cilat ishin përfshirë nga flakët. Burime nga policia thanë se deri në orët e pasdites nuk është bërë e mundur ndërhyrja për të zbardhur shkakun e rënies së zjarrit për shkak të flakëve të cilat ishin aktive për rreth 8 orë.
Por pas shuarjes së flakëve, policia nisi menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e rënies së zjarrit që shkaktoi miliona lekë dëme, duke ngritur disa pista hetimi. “Po hetohen disa pista mes të cilave një shkëndijë elektrike është kryesorja që mund të ketë qenë rrjedhojë e flakëve të zjarrit”, -thanë për “Shekullin” burimet policore. Sipas burimeve të policisë, nuk përjashtohet dhe vënia e qëllimshme e zjarrit, apo flakët mund të kenë rënë nga pakujdesia, por ngjarja është nën hetim dhe pritet të zbardhet e vërteta e kësaj katastrofe për këtë fabrikë.
Magazinat, pa masa kundër zjarrit
Megjithëse të ndërtuara vite më parë dhe të mbushura me pajisje hidrosanitare vlera të cilave kapte miliona lekë, magazinat e kompanisë “Henri sh.p.k” nuk kanë pasur masa kundër zjarrit. Të paktën kështu kanë deklaruar skuadrat e zjarrfikëseve, të cilat punuan për shuarjen e flakëve që shkrumbuan këto magazina.
Punonjësit e zjarrfikëses fillimisht u dyndën të parandalonin përhapjen e flakëve të zjarrit në disa biznese të tjera të ngritura pranë magazinave si dhe godinën gjashtë katëshe të kësaj kompanie e cila është pajisur me xhama. Frika e shpërthimit të xhamave nga nxehtësia ka detyruar zjarrfikësit të zgjerojnë perimetrin e sigurisë në zonë si dhe të përqendrohen në neutralizimin e flakëve që afroheshin pranë kësaj godine.
Personat që ndodheshin në magazinë janë larguar të alarmuar
Në magazinë ndodheshin 22 persona, asnjë i lënduar
Në momentin që u vunë re flakët e para, 22 punonjës dhe klientë ndodheshin në magazinë. Për ngjarjen, fillimishtështë njoftuar pronari i magazinave, i cili ka kërkuar largimin e menjëhershëm të personave që gjendeshin aty pranë. Ndërkohë që largimi i njerëzve nga magazinat është kryer edhe nga forcat e shumta të policisë, të cilat rrethuan zonën përreth.
Policia ka marrë në pyetje disa nga dëshmitarët kryesorë të ngjarjes, me qëllim gjetjen e vatrës së zjarrit e cila shkaktoi dhe djegien e magazinave. Nga vendngjarja mësohet se dëshmitarët janë larguar me shpejtësi të alarmuar, pasi kanë dalë nga vendi ku ra zjarri.
Megjithëse nën masa të rrepta sigurie, zona përqark është mbushur me qytetarë të shumtë kuriozë për të parë zjarrin që kishte përfshirë objektet. Veç makinave të shumta të zjarrfikëseve dhe të policisë, në vendin e ngjarjes ishin të pranishme edhe autoambulanca për të qëndruan në gatishmëri të ndonjë rreziku që mund të kanoste punonjës të zjarrfikëseve, policë, apo edhe persona të tjerë që gjendeshin në magazina.