Nga më shumë se 15 mijë çështje, vetëm 3875 janë ekzekutuar. Pjesa tjetër është ende në process
Ministria e Drejtësisë paralajmëron kallëzime penale dhe gjoba për punonjësit e Përmbarimit
TIRANË- Ministria e Drejtësisë pranon një pjesë të kritikave për vonesat në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, duke paralajmëruar ndëshkime për përmbaruesit. Pas shqetësimit të ngritur nga presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe pas reagimit të PS-së për zvarritjen e ekzekutimit të vendimeve, Ministria e Drejtësisë bën me dije se punonjësit e Përmbarimit që nuk kanë kryer detyrën do të përballen me kallëzime penale ose me gjoba.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Ministria e Drejtësisë ka pranuar se janë 1345 çështje që janë jashtë afateve proceduriale të vendosura nga Kodi i Procedurës Civile. “Shërbimi i Përmbarimit, veç mjeteve të tjera ligjore, po procedon me vendosje gjobe dhe kallëzime penale për mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore”,- bën me dije zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Migena Demirxhi.
Në këtë rast, Ministria e Drejtësisë ka pranuar faktin e vonesave në ekzekutimin e vendimeve, megjithatë ka mbrojtur qëndrimin se 85% e tyre janë në proces. Megjithatë pritet që brenda zyrave të Përmbarimit, shumë prej punonjësve që kanë ndikuar në mënyrë aktive apo pasive në vonesat e këtyre vendimeve të përballen në të ardhmen me një proces gjyqësor ose me gjobë që do të përcaktohet nga strukturat përkatëse. Sipas shifrave zyrtare, të paraqitura për periudhën janar -shtator 2008, në zyrat Përmbarimore janë regjistruar për ekzekutim të vendimeve gjyqësore 15 641 çështje. Nga këto, deri tani janë ekzekutuar vetëm 3875, ndërsa pjesa tjetër është në process.
Nga shifrat e paraqitura, gjatë këtij viti janë 7523 çështje që ende nuk janë ekzekutuar, por sipas Ministrisë së Drejtësisë, janë brenda afateve proceduriale. Cilësimi brenda afateve proceduriale nuk është shoqëruar me një paraqitje konkrete të afatit të fundit për ekzekutimin e tyre, duke lënë të hapur mundësinë që një pjesë prej 7523 çështjeve të mbyllen brenda këtij viti.
Reagimi i Ministrisë së Drejtësisë ka ardhur menjëherë pas kritikave të bëra nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve në PS, Ylli Manjani i cili theksoi se Zyra Përmbarimore është në një gjendje emergjente shtetërore. Vlen të theksohet se kohët e fundit Zyra Përmbarimore ka hasur shumë kritika për vonesa në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Shpesh kjo Zyrë është akuzuar për paaftësi në menaxhimin e këtyre vendimeve, por edhe për vonesa të qëllimshme që janë në përfitim të disa personave. Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore është një ndër kushtet e marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit ndaj edhe vonesat në këtë process kanë tërhequr vëmendjen e presidentit Bamir Topi.
PËRMBARIMI
Janar – Shtator 2008
5641 çështje janë regjistruar për ekzekutim
3875 çështje janë ekzekutuar
1269 çështje janë pushuar
7523 çështje në ekzekutim brenda afateve procedurale
211 çështje të refuzuara
814 çështje të pezulluara me vendim gjykate
568 çështje të transferuara
36 çështje janë pushuar për shkak të shfuqizimit të Urdhërit Ekzekutiv