MASHTRIMI/ Një shtetase nga qyteti i Rrëshenit ka rënë pre e mashtruesve, të cilët përfituan 6 mijë lekë prej saj
MIRDITË - Një banore e Rrëshenit ka rënë dje pre e mashtruesve telefonike, teksa e kanë bindur të blejë për llogari të tyre plot 6 karta rimbushëse dhe oferta të rritej më tej. Mashtruesit e kanë telefonuar në telefonin fiks në shtëpi pasi aty nuk do të shfaqeshin dhe numrat e tyre celularë. Rasti ndodhi në lagjen “Kolsh” të Rrëshenit kur në numrin 0216 2461 ka rënë një zile telefoni duke i njoftuar poseduesit se ky numër ishte përzgjedhur si fitues në një lojë të zhvilluar nga një kompani dixhitale, dhe ku, sipas tij, kjo familje do të jetë përfituese e një aparature me 1 vit mbushje dhe një shumë prej 2 mijë eurosh.
Zëri matanë telefonit ka thënë se për të konfirmuar fitoren do ta telefononte vetë drejtori i kompanisë. Dhe pikërisht pas pesë minutash një zë tjetër është prezantuar si drejtori, dhe pasi e ka uruar fituesen, i ka thënë se të nesërmen duhej të paraqitej me pasaportë në dorë për të tërhequr shumën e eurove të fituara. Por pikërisht para se të shpallej përfundimisht fituese, ajo duhej të blente 6 karta rimbushëse celulari dhe t’i deklaronte numrat në telefonin që i fliste. Duke i besuar kësaj “loje”, qytetarja ka blerë menjëherë 6 kartat dhe ua ka dhënë numrat sipas porosisë.
Suksesi për grackën e ngritur ka bërë që mashtruesit të vazhdonin akoma më tej lojën duke i thënë “fitueses” se pas kësaj shuma mund të rritej me 1100 euro të tjera nëse ajo blinte dhe 10 karta rimbushëse dhe t’u jepte numrat. Por kjo rritje e beftë ka bërë që shtetasja “të vinte në vete” dhe të dyshonte. Ajo ka marrë menjëherë në telefon agjencinë ku i thanë se duhet të tërhiqte paratë dhe ata i konfirmuan se kishte rënë pre e një mashtrimi.
Në këto kushte, gruaja i telefonoi shërbimit të klientit pranë kompanisë celulare, të cilëve, pasi u dha numrat e kartave rimbushëse, u mori numrat e telefonave që ishin rimbushur me to. Në përpjekje për t’u lidhur me dy shtetasit që e kishin marrë në telefon, M.P. konfirmoi se dikush tjetër e kishte marrë në telefon dhe e kishte siguruar për “fitoren” e saj. Më pas ajo i është drejtuar policisë për të denoncuar mashtrimin e kryer. Mashtrimi me kartat rimbushëse është kthyer në një “lojë argëtuese” për shumë persona, të cilët kanë përfituar mjaftueshëm nga ata që nuk kanë qenë të vëmendshëm kundrejt paralajmërimeve.