Dëshmia e plotë e Bashkim Gazidedes dhënë në prokurori përpara vdekjes në lidhje me rrëmbimin e Remzi Hoxhës
TIRANË- Vdekja e Bashkim Gazidedës 38 ditë më parë ka detyruar gjykatën që të pranojë deklarimet e dhëna prej tij në prokurori në lidhje me zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Këto deklarime janë dhënë dy vite më parë dhe janë firmosur prej vetë ish- kryespiunit shqiptar pasditen e tre tetorit 2006. Në një kohë kur Avni Koldashi, një prej të pandehurve të procesit, ka pranuar publikisht se ka shoqëruar dy nga tre viktimat e rrëmbimit, vetë Gazidede ka deklaruar të kundërtën në prokurori. Ish- kreu i SHIK-ut është përpjekur që të shfajësojë veten nga çdo gjë që ka lidhje me zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha duke luajtur kartën e paditurisë.
“Me cilësinë e drejtuesit të SHIK-ut për vitin 1992-’97 nuk kam marrë asnjë informacion apo kam lëshuar urdhra për rrëmbimin e shtetasve Ziso Kristopuli e Avdyl Loshaj. Asnjëri nga këto persona nuk është shoqëruar apo rrëmbyer nga SHIK-u, pasi kam kërkuar informacione për këto dhe nuk më rezulton se ka ndonjë shkresë apo dokument ku figuron shoqërimi apo marrja në pyetje e tyre nga efektivë të Shërbimit Informativ Kombëtar të asaj kohe”,- thuhet ndër të tjera në procesverbalin që lexoi mëngjesin e djeshëm në seancën gjyqësore prokurori i çështjes Xhevat Hana.
Ky procesverbal u bë pjesë e fashikullit për gjykim në procesin penal ndaj tre ish-drejtuesve të SHIK-ut. Ndërkaq, pyetjes së oficerëve në lidhje me dijeninë që ai kishte për rrëmbimin e shtetasit kosovar Remzi Hoxha, ish-kreu i SHIK-ut përgjigjet: “Nuk kam dijeni as për rrëmbimin e Remzi Hoxhës. Për këtë person të rrëmbyer e kam marr vesh nga media dhe më pas nga informacioni i kërkuar nga ish-kryetari i Parlamentit në atë kohë, Pjetër Arbnori, kreu i grupit parlamentar të PD-së dhe nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, të cilëve i kam kthyer përgjigje se ky person nuk figuron i shoqëruar nga efektivët e SHIK-ut”.
Ndërsa, në lidhje me mos pranimin për takim të familjarëve të shtetasit Remzi Hoxha, Gazidede i është përgjigjur se “nuk kam pranuar dhe nuk pranoj të më takojnë pasi më kanë akuzuar publikisht për rrëmbimin e Remzi Hoxhës”. Gjithashtu, Gazidede në deklarimet e tij sqaron edhe mënyrën e funksionimit të efektivëve të SHIK-ut dhe marrëdhëniet me ish-vartësit e tij të pandehur në këtë proces penal. “SHIK-u funksionon në bazë të ligjit të vitit 1991 dhe aktet nënligjore të lëshuara nga drejtuesi i SHIK-ut në atë kohë.
Çdo dokument për ndonjë operacion apo edhe te operacioni më i lehtë i vëzhgimit të personave pasqyrohej në dy dokumente, të cilat dubloheshin dhe një kopje kalonte në arkiv që sekretohej në bazë të informacionit që mbante dhe një kopje tjetër mbahej në qendër për vazhdimin e të dhënave... SHIK-u nuk ka të drejtë të shoqërojë persona dhe nuk e ka pasur këtë kompetencë ndonjëherë për shoqërim të ndonjë qytetari.
Çdo person i dyshuar për ndonjë aktivitet të paligjshëm që cenonte sigurinë e vendit, kontaktohej dhe në bashkëpunim me atë bëhej biseda apo siç njihet ndryshe bisedat informuese në ambientet jo të fshehta të SHIK-ut”,- thuhet në procesverbalin që u dorëzua dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe që nuk u kundërshtua nga avokatët mbrojtës të të pandehurve. Sipas këtij procesverbali nëse ka ndodhur rrëmbimi i ndonjë personi nën koperturën e SHIK-ut ai duhet të marrë dënimin e merituar në bazë të legjislacionit penal.
“Marrëdhëniet me vartësit kane qenë korrekte dhe mesa di unë në vitin 1995 ka qenë drejtor i SHIK-ut në Tiranë, fillimisht Mehmet Haxholli dhe më pas Arben Sefgjini, të cilin e njoh nga puna që kemi pasur bashkë, si vartësi im. Avni Koldashin e kam njohur në ato vitet kur e kam pranuar në punë, pasi më ka kërkuar të punojë në zyrën time.
Shtetasin Ilir Kumbaro nuk e kam njohur, por e kam takuar për herë të parë dhe të fundit në vitin 1996 kur më ka kërkuar t’ia pranoja dorëheqjen e tij pasi donte të ikte për në Angli. Ndërsa, shtetasin Budjon Meçe nuk e kam njohur atëherë, por pasi jam kthyer në Shqipëri ka ardhur për vizitë në shtëpinë time dhe e kam takuar”,- mësohet se është shprehur Gazidede gjatë marrjes në pyetje para oficerëve të policisë gjyqësore në tetorin e 2006.
Në fund të këtij procesverbali tre faqesh, ish-shefi i SHIK-ut tashmë i ndjerë nuk harron të përmendë dhe akuzojë pasardhësin e tij si drejtues të SHIK-ut, Fatos Klosin për inskenim të rrahjes së tij nga shtetasi Anibal Basha. Pas leximit të deklarimeve të tija, gjykata me kërkesë të prokurorit administroi në dosje edhe certifikatën e vdekjes së lëshuar nga Njësia Bashkiake nr.5 në Tiranë.
PJESË NGA PROCEVERBALI I DEKLARIMIT TË BASHKIM GAZIDEDES
A keni dijeni për shoqërimin e një shtetasi Zizo Krisopuli me banim në Ksamil të Saranda, në Vain të Lezhës në vitin 1995 nga punonjësitnë një bazë të SHIK-ut?
Nuk e kam dëgjuar asnjëherë këtë person. Për herë të parë emrin e tij e kam dëgjuar të flitej në një kanal televiziv.
Po për rrëmbimin e Armand (Avdyl) Loshaj keni dijeni?
Nuk kam dijeni dhe nuk e kam dëgjuar ndonjëherë.
A keni dijeni për marrjen e një shtetasi shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha në vitin 1995 nga punonjësit e SHIK-ut?
Unë nuk kam dijeni për këtë shoqërim, por e kam marrë vesh nga gazetat. Nuk mund ta kujtoj dot kohën kur ajo e ka shkruar. Për këtë unë i kam kërkuar degëve informacion dhe kam marrë përgjigje që nuk kanë pasur dijeni. Informacionin mund ta kem kërkuar me shkresa, por nuk jam i sigurt për këtë.
Për këtë problem ne kemi hapur një fashikull dhe kemi futur informacionet përkatëse. Nga drejtoritë më ka ardhur informacion se këtë person nuk e kanë pasur objekt pune. Për këtë më ka kërkuar informacion edhe Pjetër Arbnori si kryetari i parlamentit. Ditën e saktë nuk e mbaj mend dhe i kam kthyer përgjigje zyrtare për informacionin që kisha. Më ka kërkuar edhe Prokuroria e Përgjithshme për një targë mjeti dhe unë u kam kthyer përgjigje zyrtare.
Çdo mjet kishte targat e veta dhe për këtë eshtë marrë informacion me shkrim dhe më pas i është kthyer përgjigje prokurorisë. Për këtë është interesuar edhe Ali Spahia. Tjetër nuk mbaj mend a janë interesuar. Më kanë ardhur familjarët e Remzi Hoxhës, por unë nuk i kam pritur për faktin se ata më kishin akuzuar publikisht mua dhe nuk kishin fare të kërkonin.
Ilir Kumbaro
Unë Ilir Kumbaron e kam njohur kur më ka kërkuar lirim nga puna në vitin 1996 e më parë nuk e kam njohur. Nuk e di se çfarë pune ka bërë, por më tha se do të ikte në Angli dhe e kam liruar.
Avni Koldashi
Avniun e kam takuar në zyrë, ku më ka ardhur për të kërkuar punë. I kam kërkuar dokumentet dhe e kam futur në punë por nuk më kujtohet se ku e kam emëruar.
Budjon Meçe
Budjon Meçen nuk e kam njohur më parë, por e njoha tani. Më ka ardhur për vizitë në shtëpi.
Ballafaqimi
Shtetasi Avni Koldashi është arrestuar në vitin 2003 dhe në shpjegimet qe ka dhënë ai ka deklaruar se ka marr urdhër për vëzhgimin e Ilir Gjonit dhe shoqërimin e shtetasit Kristopuli në Vain të Lezhës. Udhëzimet i ka marrë nga Arben Sefgjinit dhe Ilir Kumbaro?
Unë për këtë nuk kam për të thënë asnjë koment. Nëse këtyre personave u provohet le të vihen përpara ligjit. Duke qenë se ai ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit para se të punonte në SHIK dyshoj se mund të jetë përdorur kjo praktikë për të marrë deklarime që nuk janë të vërteta. Unë dua të shtoj se kur ka ardhur në krye të SHIK-ut Fatos Klosi ka hedhur një mori akuzash në drejtimin tim, dhe shërbimit që kam drejtuar unë sipas meje pa asnjë lloj baze. Ndër të tjera ai thotë se ka gjetur muret dhe dyert me gjak. Nëse kanë qenë me gjak, ai duhet të merrte ADN-ne dhe të ngrinte akuza. Pra çfarë thotë Klosi, është e paragjykuar.
Rrëmbimi i biznesmenit tregohet në gjykatë nga ish- shoferi i SHIK-ut. “Pengun ia dhamë shoferit të Sefgjinit”
Shoferi: Si rrëmbeu Koldashi Remzi Hoxhën
Pasholli: Pas rrëmbimit u kthyem për të kontrolluar makinën por nuk gjetëm gjë
TIRANË- Ish-shoferi i të pandehurit Avni Koldashi, shtetasi Shpëtim Pasholli, pranon para Gjykatës së Krimeve të Rënda se ka qenë pjesë e “rrëmbyesve” të biznesmenit kosovar Remzi Hoxha pasditen e 21 tetorit të vitit 1995 në punishten e tij të duraluminit në Tiranë. I thirrur nga gjykata me kërkesë të organit të akuzës, dëshmitari i radhës, Shpëtim Pasholli, ndryshoi deklarimet nga ato të dhëna në prokurori. Por prokurori Xhevat Hana ka lexuar përpara gjykatës procesverbalin e dëshmisë së dhënë prej tij në organin e akuzën. Ky procesverbal u bë pjesë e fashikullit për gjykim.
Në deklarimin e tij dhënë në prokurori, Pasholli konfirmoi se ka qenë ai vetë, dy vëzhguesit Bajram Bulica e Riza Shehu që nën urdhrat e të pandehurit Avni Koldashi kanë rrëmbyer Remzi Hoxhën me dhunë nga punishtja e tij. “Kam qenë shofer pranë Drejtorisë së SHIK-ut në Tiranë, fillimisht nën urdhrat e Kadri Rrapit dhe më pas të Avni Koldashit. Nuk më kujtohet si ditë, por ka qenë rreth fundi i muajit tetor kur Kadri Rrapi më ka lajmëruar në telefon duke më urdhëruar që pasdite të kaloj në dispozicion të drejtorit Avni Koldashi.
Atë ditë nën urdhrat e Avni Koldashit, i cili ishte ulur në sedijen e parë, dhe dy shtetasve Bajram Bulica e Riza Shehu kemi shkuar në afërsi të rrugës së Durrësit afër dispanserisë në një ndërtesë dykatëshe ku ishte një fabrikë duralumini. Aty kemi shkuar me makinën time tip “Fiat” por targat nuk i mbaj mend se i ndërronim shpesh me urdhër të shefave. Pa mbërritur tek dispanseria, aty tek disheza, kam parë shtetasin Qerim Canko, por që nuk i folëm dhe shkuam tek kjo punishte. Mua më urdhëroi Koldashi që të qëndroj në makinë tek dera kryesore dhe të lija makinën ndezur dhe me dyer të hapura. Të tre të tjerët, Koldashi, Bulica dhe Shehu hynë brenda kësaj godine dhe dolën me nxitim duke tërhequr me dhunë një shtetas.
Nga brenda sallës së punës dolën edhe disa punëtorë të irrituar që kërkonin shpjegime pse po e shoqëronin por që shefi Koldashi nuk i dha asnjë shpjegim. E futën në makinë dhe i vendosem një palë syze dielli me sfungjer brenda dhe Koldashi më urdhëroi të ecja shpejt në drejtim të Kamzës. Jam nisur me një shpejtësi pak ndryshe se gjithmonë dhe pa mbërritur te kthesa e Kamzës, shefi më urdhëroi të ndalesha para makinës fouristradë që drejtohej nga Besnik Gjuzi (ish-shoferi i Arben Sefgjinit). E morën personin që e kishim në makinë dhe e futën në makinën e tipit fuoristradë që ishte me xhama të zeza dhe nuk pashë asnjë person përveç shoferit Gjuzi”,-thuhet ndër të tjera në deklarimet e tij.
Më pas Pasholli ka rrëfyer se pas dorëzimit të shtetasit, për të cilin më pas ka mësuar se ishte Remzi Hoxha, ai, Koldashi, Bulica dhe Shehu janë kthyer tek fabrika dhe kanë ushtruar kontroll në makinën e tij. “Pasi ia dorëzuam makinës tjetër që iku në drejtim të Kamzës, ne u kthyem tek vendi ku e rrëmbyem atë shtetas. Avni Koldashi dhe dy shoqëruesit e tjerë kontrolluan makinën e të rrëmbyerit”,- thuhej në dëshmië. Më pas në seancën e djeshme dëshmuan edhe persona të tjerë të thërritur nga akuza si Mizafer Kambo, Hamdi Rexha, Bexhet Haxhiu e Ilmi Bajrami e zvministri i Arsimit Halit Shamata për kohën e qëndrimit të tij në krye të Ministrisë së Rendit.
Ilmi Bajrami
Sipas dëshmitarit nga Ksamili, Ilmi Bajrami, për rrëmbimin e Ziso Kristopulit janë njoftuar deputetët Servet Pëllumbi e Namik Dokle, të cilët kanë njoftuar Presidentin Sali Berisha në atë kohë po atë ditë. “Të nesërmen kam marrë një telegram ku Ziso Kristopuli më shkruante se do të vinte për dy ditë, por që nuk ka pranuar se e ka shkruar ai”,- tha dëshmitari Bajrami.
Halit Shamata
Zvministri i Brendshëm i asaj kohe, Halit Shamata, është shprehur se nuk mbante mend të kishte marrë dijeni për rrëmbimin e Remzi Hoxhës. Se kam marrë dijeni për rrëmbimin e Remzi Hoxhës. “Nga kujtesa që kam nuk mbaj mend që më ka kërkuar zyra e Presidentit të asaj kohe apo edhe Prokuroria e Përgjithshme informacion për rrëmbimin e shtetasit Remzi Hoxha. Gjithashtu, nuk mbaj mend që Prokuroria e Përgjithshme të më ketë kërkuar të ndërhyja për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për arrestimin e efektivit të Komisariatit nr.2 shtetasit Zograf Qala”,-tha Shamata, që për organin e akuzës ky person dyshohej se e ka rrëmbyer shtetasin Remzi Hoxha.
Prokuroria:
“Agim Shehu gënjen dhe nuk vjen të dëshmojë”
TIRANË- Një tjetër dëshmitar VIP në procesin për zhdukjen e Remzi Hoxhës duhet të ishte edhe ish-zv/ministri i Brendshëm i asaj kohe, Agim Shehu. Por ky i fundit ka refuzuar të paraqitet duke thënë se ndodhej jashtë shtetit. Kjo gjë është kundërshtuar nga prokuroria, e cila ka pohuar se ai gënjen. “Agim Shehu refuzon të vijë e të dëshmojë para Gjykatës dhe gënjen për mos ndodhjen e tij në Shqipëri. Ne si institucion i akuzës e kemi verifikuar në TIMS dhe nuk na rezulton se Agim Shehu ndodhet jashtë territorit shqiptar dhe të përsëritet fletë-thirrja ndaj tij”.
Kështu iu drejtuar togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda prokurori i çështjes së dosjes penale me të pandehurit Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro e Avni Koldashi. Ndërkohë edhe shtetasit Fatos Klosi, Islam Xhihazi, Anibal Basha, Flamur Reçi e Ilirjan Dervishi nuk ndodheshin në adresat e dhëna nga organi i akuzës, që për prokurorinë këto janë adresat që vetë këto shtetas në kohën e marrjes në pyetje kanë deklaruar se banojnë. Gjykata pasi dëgjoi kërkesat e prokurorit për përsëritjen e thirrjeve ndaj dëshmitarëve, vendosi të ndërpresë seancën gjyqësore dhe të shtyjë për me datën 16 dhjetor.