Burg pa afat për përdhunuesin 18-vjeçar
DURRËS - Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë “burg pa afat” për 18-vjeçarin E.Smoqi, i akuzuar për marrjen peng dhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura. Ndërkaq, për bashkëpunëtorin e tij 14-vjeçar u dha masa e sigurisë “detyrim paraqitje” për shkak të moshës së vogël.
Nga ana e gjykatës nuk është lejuar pjesëmarrja e medies gjatë seancës për masën e sigurisë, ndërsa prangat në duar i janë lënë vetëm 18-vjeçarit. Dy të pandehurit u vunë në pranga të dielën pasdite, pasi akuzohen se morën peng dhe kryen marrëdhënie seksuale me dhunë me një 14-vjeçare nga Shijaku.
-----------------------------------------------------
Kapen me 800 g hashash, tre në pranga
KORÇË- 800 gramë hashash ka çuar në prangat e policisë tre persona. Një aksion i papritur i bluve duket se ka siguruar dhe ndalime të tjera, pas goditjes së një grupi shpërndarësish vetëm pak ditë më parë në qytetin juglindor. Ilir Bame, 33 vjeç, Julian Hasimi, 33 vjeç, si dhe Florian Fejzullahai, 26 vjeç, të cilët kanë përfunduar në burg nën akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Sipas policisë, të arrestuarit po udhëtonin me një mjet tip “Benz” me targë KO 6735 B, pronë e shtetasit Ilir Bame. Në të ishte fshehur një sasi prej 800 gramësh kanabis sativa, e destinuar për tregun vendas.
-----------------------------------------------------------------
Sekuestrohen 767 g heroinë, në kërkim zotëruesi
SHKODËR - Një çantë me 767 gramë lëndë narkotike që dyshohet të jetë heroinë është kapur nga shërbimet e policisë kufitare në Han të Hotit. Një shtetas i paidentifikuar është pikasur nga efektivat e policisë teksa përpiqej të kalonte ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi. Sapo ka pikasur efektivat e policisë, ai i favorizuar dhe nga terreni i pyllëzuar dhe errësira është larguar me vrap, ndërsa ka hedhur në tokë një çantë. Pas kontrollit që iu bë çantës, u konstatua një pako e ambalazuar me peshë 767 g, brenda së cilës ndodhen pako të vogla nga 10 gramë secila, që dyshohet të jenë lëndë narkotike heroinë. Gjithashtu brenda në çantë u gjetën dhe 7 fishekë te kalibrit 6,35mm.
------------------------------------------------------
Drekë për personat me aftësi të kufizuar
KAVAJË – Përkujtohet dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuar, duke shtruar një drekë për ta. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se vetëm në zonën e Synejt janë rreth 92 vetë me aftësi të kufizuara, që presin ndihmë nga shteti për mbijetesë. Në takim, ku merrnin pjesë përfaqësues të Shoqatës së Invalidëve, u falënderuan personat që kanë ndihmuar personat me aftësi të kufizuar. Shoqata e Invalidëve në Shqipëri regjistron 1334 anëtarë.
--------------------------------------------------------------
Shpejtësia shkakton një viktimë në Gjirokastër
GJIROKASTËR – Regjistrohet një tjetër aksident me pasojë vdekjen në rrugët e jugut të vendit. Rreth orës 18:30, në kthesën e pikës periferike të Viroit u aksidentua për vdekje shtetasi Neim Islamaj, 47 vjeç, nga Gjirokastra. Sipas policisë, viktima me automjetin e tij u përplas me kamion. Shkak për aksidentin cilësohet mosmbajtja e krahut të duhur dhe shpejtësia e lartë e automjetit që drejtohej nga viktima.
----------------------------------------------------------
Reshjet e shiut, shkak për aksidente në Fier
FIER - Shirat e rënë gjatë së mërkurës kanë krijuar probleme të shumta si në rrugët kryesore të qytetit, ashtu dhe në tokat bujqësore apo banesa, në të cilat uji është futur brenda. Në orët e para të mëngjesit, shiu ka bërë që rrugët kryesore të qytetit të Fierit të përmbyten. Si rrjedhojë është krijuar një kaos në trafik. Ka pasur edhe përplasje makinash në lagjen “Konferenca e Pezës”, “1 Maji”, si dhe “Kryengritja e Fierit”, ku shirat, si rezultat i mosfunksionimit të pusetave, kishin krijuar një pellg të madh duke shtuar problemet në trafik dhe në lëvizjen e mjeteve.
Ndërkohë është bërë edhe bllokimi i automjeteve që kalojnë në autostradën Fier- Lushnjë. Në vendin e quajtur Vajkan, ku lidhet rruga nacionale me autostradën një segment prej 500 metrash ishte përmbytur nga ujërat, duke e bërë të pakalueshme. Gjithashtu, në këtë aks, anës rrugës kishte plasaritje dhe shembje dheu, çka çoi në bllokimin nga firma që po kryente punimet. Në fshatin Ferras komuna Levan, si dhe në dy fshatra të komunës Frakull, nga intensiteti i madh i shiut shumë banesa janë përmbytur, pasi u është futur ujë brenda në banesë.
Në Patos dhe Mallakastër shirat kanë bllokuar rrugën në disa segmente, si te Kthesa e Patosit në drejtim të Ballshit dhe në ish-parkun e mallrave në hyrje të qytetit të Fierit. Niveli i ujit ka krijuar probleme serioze të qarkullimit në rrugë. Përballë kësaj gjendjeje, prefektura e Fierit ka mbledhur shtabin e emergjencës dhe ka shpërndarë anëtarët e shtabit në ato vende ku problemet qenë më të mëdha.
Në orët e pasdites së djeshme shirat e rënë nga zonat jugore të vendit, ku ujërat e tyre derdhen në lumin Gjanicë, ka bërë që ky i fundit të dalë nga shtrati. Ai ka përmbytur jo vetëm tregun industrial ambulator, i cili është anës këtij lumi, por edhe disa lokale ndërtuar po anës lumit Gjanicë. Janë rreth 200-300 tregtarë që pas njoftimit të marrë kanë vërshuar pranë magazinave ku strehonin mallrat për largimin e tyre, por që duket se jo të gjithë kanë mundur t’i shpëtojnë ato.
----------------------------------------------------------
Shkodër, përmbyten 3000 ha tokë bujqësore
SHKODËR - Reshjet e shumta të shiut të rëna në rrethin e Shkodrës kanë sjellë probleme në disa lagje periferike të qytetit, si dhe në komuna të këtij rrethi, ku janë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore. Nga informacionet e marra pranë shtabit të emergjencave të prefekturës së qarkut të Shkodrës, mësohet se problemet më të mëdha i paraqesin komunat Bushat, Berdicë, Hajmel e Vig Mnelë, ku si pasojë e mosfunksionimit të sistemit kullues është përmbytur tokë bujqësore, ndërsa nuk ka informacion për dëme në bagëti, shtëpi banimi dhe orendi. Fusha e Nënshkodrës është mbuluar thuajse e gjitha nga uji, duke sjellë dëmtim të të mbjellave të fermerëve.
Në komunën e Bushatit, sipas kryetarit të saj Zef Hila, si pasojë e reshjeve të rëna gjatë datës 3 dhjetor, janë përmbytur 2950 ha tokë bujqësore, nga të cilat 580 ha janë të mbjella me grurë. Më së shumti janë përmbytur toka bujqësore të mbjella në segmentin Bushat – Melgushë, ku kanalet kulluese nuk kanë funksionuar. Por, ndërsa komuna Bushat ka angazhuar mjetet e saj për të vënë nën kontroll situatën, kjo paraqitet problematike në komuant Berdicë, Vig- Mnelë e Hajmel. Sipas kryekomunarit të Berdicës, Qamil Xhorreta, kanalet kulluese, ato të para dhe të dyta, janë të mbyllura dhe ndërmarrja e kullimit nuk ka marrë masa për t’i zhbllokuar ato pa filluar reshjet e shiut.
Kjo rrezikon përmbytje të mëdha në Berdicë të Mesme, ndërsa në disa raste kanalet kulluese janë hapur deri në gjysmë nga ndërmarrja përkatëse, e cila ka ndërprerë punën për mungesë fondesh. Kjo situatë ka bërë që sistemi i kullimit të mos jetë në gatishmëri. Deri tani nuk ka dëme në njerëz, shtëpi banimi e bagëti, por në se reshjet e shiut do të vazhdojnë të bien me këtë intensitet, atëherë përmbytjet do të shkatojnë dëme të mëdha.
Por situata paraqitet problematike dhe në disa lagje periferike të qytetit të Shkodrës. Lagjja “Draçin”, ndër më të vjetrat, është mbuluar nga uji dhe në rrugët e saj lëvizet me shumë vështirësi dhe vetëm me automjete. Po kështu rruga tek ish-fusha e druve në lagjen “Mark Lula”, si dhe kryqëzimi tek ish-artistikja janë mbuluar nga uji duke u bërë e pakalueshme, ndërsa ka mbetur përgjysmë dhe investimi për rikonstruksionin e rrugës. Reshjet e shumta kanë shtuar prurjet duke rritur nivelin e ujit në kaskadat e lumit Drin, i cili kthehet në një rrezik serioz në rast të shkarkimit të ujit nga hidrocentralet.
Sipas të dhënave zyrtare, niveli i Fierzës ka arritur në 269,6 metra ndërsa prurjet llogariten në 700 metra kub ujë në sekondë, ndërsa në hidrocentralin e Komanit niveli ka arritur në 172,8 metra dhe prurjet llogariten në 1300 metra kub në sekonde. Në hidrocentralin e Vaut të Dejës niveli ka arritur në 74,2 metra dhe prurjet kanë arritur 700 metra kub në sekondë, ndërkohë që nga ora në orë kuotarritet me 5 cm.
--------------------------------------------------------------
Durrës, mbi 140 banesa përmbyten nga reshjet
DURRËS - Rënia e reshjeve të shiut për mbi 16 orë pa ndërprerje ka krijuar probleme e pasoja të rënda edhe për banorët e zonës së qytetit të Durrësit dhe të rrethinave të tij. Pas rënies gjatë gjithë natës të shirave të pandërprera, rajone të tëra të këtij qytetit kanë gdhirë të përmbytura nga ujërat e tepërta duke filluar që nga hyrja e tij pranë stacionit të trenit, ku ujërat megjithëse rridhnin, kishin kapërcyer mbi trotuare dhe kalonin në rreth 30-40 cm lartësi.
Në këto momente shumë shoferë të papërgatitur kanë mbetur mes ujërave duke kërkuar për t’i rimorkiuar, pasi u ishin fikur mjetet e tyre nga depërtimi i ujërave në motorë. Në dyqanet në afërsi të hyrjes dhe në periferi ka pasur gjithashtu depërtime të ujërave gjë që ka sjellë dëmtime të bizneseve kryesisht të vogla e të mesme.
Ujërat kanë bllokuar pikat kyçe të kryqëzimeve, si në pjesën veriore të qytetit, lagjen problematike 18, por edhe në qendër, nga vërshimi i ujërave të zonave kodrinore, ujëra që gjatë vërshimit kanë marrë me vete edhe mbetje inerte të ndërtimeve dhe dhera që kanë rrëshqitur nga shirat, të cilat kanë bllokuar udhëkryqin në afërsi të Mauzeleumit të Dëshmoreve, dhe më pas duke rrëshqitur më tej kanë krijuar pellgje në afersi të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke e bërë faktikisht këtë zonë të pakalueshme për shumë orë.
Ujërat kanë vërshuar edhe në lagjen rome të N. Tullave në periferi të lagjes “14” Shkozet dhe kanë hyrë në rreth 120 banesa të varfëra të kësaj lagjeje. Përmbytje shtëpish ka pasur edhe në shtëpitë e lagjes së plazhit që ndodhen në afërsi të kolektorit të shkarkimeve pranë stacionit të vjetër të trenit në Shkozet. Banorët e kësaj zone thonë se janë rreth 20 banesa në afërsi të stacionit që ndodhen në gjendje të mjerueshme, nga vërshimi i ujërave ne brendësi të tyre.
Një numër i madh banesash është përmbytur edhe në zonën e ish-kënetës që i përket lagjes 17, por këtu ka pasur edhe një problem tjetër që ka vite që nuk po zgjidhet. Duke qenë se zona që funksionon përdor gropa septike, ujërat e shumta që kanë vërshuar në brendësi të oborreve kanë nxjerrë nga gropat e zeza edhe mbetjet e atjeshme të cilat kanë vërshuar në mjediset e hapura duke pluskuar dhe rritur efektin e ndotjes.
-------------------------------------------------------------------
Librazhd, shpërthimi i pusetave bllokon 16 familje
LIBRAZHD - Reshjet e shumta të rëna kanë krijuar mjaft probleme në disa lagje të qytetit të Librazhdit, konkretisht në lagjen e ish- Sharrës, ku 16 familje të një pallati janë të bllokuara brenda për shkak të bllokimit të pusetave dhe derdhjeve të ujërave, ndërkohë që edhe ujërat e zeza kanë shpërthyer në hyrje të pallatit. Gjithashtu, probleme ka edhe lagjja e “Detashmentit”, ku gërryerjet e lumit Shkumbin kanë krijuar mjaft probleme në këtë zonë, ku janë edhe këtu 18 familje, të cilat prej vitesh kanë ngritur problemin e sistemimit të zonës ku ata banojnë.
Probleme kanë pasur edhe prurjet e lumit Shkumbin ku rrezikohen tre pritat lumore, të cilat kanë filluar të shkatërrohen dhe blloqet e betonit kanë qenë të pafuqishme për të përballuar këto prurje, dhe në rast të shpërthimit të lumit, duke dalë jashtë shtratit mund të krijohet një katastrofë për jetën e mjaft qytetarëve të Librazhdit. Ndërkohë që Bashkia e Librazhdit po verifikon situatën e të gjitha shtëpive të përmbytura dhe të rrezikuara, gjatë pasdites janë futur në punë edhe fadromat për zhbllokimin e pusetave dhe kanaleve.
Sipas Rakip Kojkut, njërit nga banorët, “duhen shumë ndërhyrje, sepse çdo herë që ka përmbytje, flemë me frikë”. Idriz Hysa, njëri nga familjarët që e ka shtëpinë ngjitur me lumin Shkumbin thotë se “nëse përmbyten pritat lumore dhe blloqet i merr lumi, dalja e tij nga shtrati na rrezikon jo vetëm ne, por dhjetëra shtëpi të tjera, pa llogaritur mjaft institucione shtetërore që janë në këtë zone”.