RESHJET/ Gjatë ditës së djeshme, bllokimi i kolektorit ka sjellë një katastrofë në qytetin e vjetër të Beratit
Një kamion i cili po kalonte nxënësit e shkollës është marrë para nga ujërat e lumit duke rrezikuar një tragjedi
BERAT- Tepër e vështirë është gjendja për qytetarët e Beratit si pasojë e shirave të shumtë të rënë pa ndërprerje. Por edhe në qytet, mbi 30 banesa janë evakuuar. Si pasojë e reshjeve të dendura shumë familje në lagjen “Çlirim”, “30 Vjetori”kanë marrë disa rroba trupi, kanë ngritur në lartësi orenditë shtëpiake më të rëndësishme dhe janë larguar tek të afërmit e tyre për t’i shpëtuar përmbytjes. Ndërsa muri i një shtëpie në lagjen “13 shtatori”, pjesë e Mangalemit ka rënë në mes të ditës, por fatmirësisht nuk ka shkaktuar viktima, pasi banorët nuk ndodheshin në shtëpi.
Ndërsa Dhoksi Shella, banore e lagjes “Kala”, tha për “Shekulli”-n se familja e saj është larguar nga shtëpia pasi shtëpia është mbushur me fekale, si pasojë e bllokimit të kanalizimeve të ujërave të zeza. Në qytet nuk funksionojnë kolektorët, të cilët nuk mund të përballojnë tërheqjen e ujërave të shumta që kanë përmbytur qytetin, si dhe është ende në gjendje të bllokuar kolektori kryesor i ujërave të zeza.
Ndërsa gjendja vazhdon të jetë e vështirë në shumë lagje të qytetit për shkak se kolektorët fillojnë nga lagjja “Kushtrim” dhe vazhdojnë duke përshkuar gjithë lagjet e qytetit të Beratit. Banorët duke parë që rruga është bllokuar dhe ujërat janë futur nëpër oborre dhe më pas në banesa kanë kërkuar që në momentet e para ndihmën e zjarrfikëseve. Kjo ka qenë një ndihmë për ato familje që kanë pasur dëmtime dhe banesa të tjera, që nuk kanë mundur të boshatisen nga ujërat e shirave, të cilat të përziera me ato të zeza kanë krijuar një kaos tek banorët, të cilët si rrugë të mundshme për t’i shpëtuar një përmbytjeje, janë larguar nga banesat e tyre.
Çarja dhe bllokimi i kolektorit ka bërë që rruga kryesore që fillon nga stadiumi i ri e deri në kryqëzimin e rrugëve të qytetit, të bëhet totalisht e pakalueshme, sidomos për këmbësorët dhe tregtarët e tregut industrial që tregtojnë mallrat e tyre përgjatë kësaj rruge, ashtu siç edhe janë bllokuar thuajse të gjitha rrugët kryesore e ato të lagjeve. Kjo situatë ka vazhduar përgjatë gjithë paradites së djeshme, ndërkohë që rritja e reshjeve me intensitet të madh ka bërë që prurjet në kolektorin e ujërave të zeza të dalin në rrugët e qytetit, duke sjellë kështu edhe vështirësi të situatës së krijuar, por edhe në shtëpitë e përmbytura ku shumë banorë nuk kanë ku të strehohen tashmë.
Një ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Lumas në lumin e Lapardhicës, i cili i dalë nga shtrati mori përpara tre mjete me pasagjerë, ndërsa njëri prej tyre tranportonte fëmijët e shkollës nga njëra anë e lumit në tjetrën. Ngjarja ndodhi dje teksa automjeti po përdorej për nxënësit, të cilët nuk mund ta kalonin urën si çdo ditë. Kamioni po bënte rrugën e fundit me fëmijët e shkollës, si dhe mësuesit, por është marrë përpara nga ujërat e rrëmbyeshëm. Ishin banorët e rastit ata të cilët, të alarmuar kanë ndihmuar fëmijët për të dalë nga ujërat dhe më pas janë ndihmuar nga forcat e policisë. Pas disa orësh është arritur që me anë të mjeteve të rënda të nxirren edhe automjetet e tjera.