Fëmijët e çiftit Berisha, vajza Argita dhe djali Shkëlzeni, ashtu si prindërit, nuk kanë paguar taksat në dy vitet e fundit
Kryeministri u bën bisht taksave lokale. I pafuqishëm të bindë edhe anëtarët e kabinetit qeveritar
Kryeministri Berisha dhe familjarët e tij vazhdojnë të jenë më jo korrektët në zbatimin e ligjit. Me gjithë thirrjen publike për pagimin e taksave vendore, të bërë nga pushteti lokal në muajin dhjetor, familja që qeveris vendin, këmbëngul të mos denjojë të adresohet pranë sporteleve të tatim-taksave për të shlyer detyrimet, duke u kthyer kësisoj në shembullin më negativ për qytetarët.
“Ligji dhe vetëm ligji”, batuta e aq shumë pëlqyer dhe trumbetuar nga kreu i qeverisë, është kthyer nga po ai vetë në shprehjen “bëj si të them unë, por mos bëj siç bëj unë”. I pari i Këshillit të Ministrave, që duhet të jetë njëkohësisht edhe respektuesi i parë i ligjit, në vendin që qeveris prej 42 muajsh, ua ka injektuar këtë filozofi edhe anëtarëve të familjes.
Familja Berisha, e përbërë nga kryeministri dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha, nuk ka paguar asnjë taksë vendore në arkat e pushtetit vendor, qoftë në vitin 2007, ashtu edhe në vitin 2008 që sapo lamë pas. Taksat me ligjin për pushtetin lokal duhet të ishin paguar vullnetarisht brenda muajit shtator të vitit 2008, ndërkohë që, nga kjo periudhë e deri më sot, kanë kaluar plot 3 muaj, dhe kryeministri jo vetëm që nuk ka trokitur në zyrën e tatimeve, por nuk ka bërë as gjënë më të thjeshtë, ashtu sikurse veprojnë anëtarët e tij korrektë të qeverisë; në pamundësi të dërgojë shoferët apo shërbëtorët për të firmosur librezën e taksave.
Të njëjtin ves gëzon edhe vajza e kryeministrit, Argita Malltezi (Berisha), e cila sikundër i ati, nuk paguan taksat që nga viti 2007. Banore e njësisë bashkiake Nr. 9, vajza e madhe e kreut të qeverisë, paçka se deklaron pasuri të patundshme vlera të mëdha monetare, tregon se i dhimbsen 15 mijë lekë të rinj, aq sa është gjithë-gjithë shuma që duhet të derdhë për dy vite në arkën e pushtetit lokal.
Në këtë mes nuk bën dallim as djali i vogël i familjes kryeministrore, i cili megjithëse jeton në Suedi, duket se nuk është mësuar t’i qëndrojë sus ligjit. Djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha, i shkëputur nga trungu familjar, vite më parë, është banor i njësisë bashkiake Nr.2 në kryeqytet. Megjithëse ligjërisht rezulton të jetë i ndarë nga i ati dhe vazhdon të jetojë në vendin skandinav, 32-vjeçari duhet të derdhë në arkat e tatim-taksave, detyrimet përkatëse, gjë të cilën nuk e bën, ashtu sikurse familjarët e tij, që nga viti 2007.
Kryeministri Sali Berisha, jo vetëm që është më jokorrekti dhe nuk arrin të bindë familjarët e tij të paguajnë detyrimet ligjore, por është i pazoti të bindë edhe anëtarët e kabinetit të tij, të paguajnë taksat. Fillojmë që nga ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, kandidat në shkurtin e vitit 2007 për postin e qytetarit të parë të Tiranës.
Ministri Olldashi, banor i njësisë bashkiake Nr. 9, nuk ka paguar taksën e ndërtesës, pastrimit dhe gjelbërimit për vitin që lamë pas. Ecim më tej me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeajn, familja e të cilit, kur po afrohemi dalëngadalë në mesin e muajit janar, nuk ka paguar taksat e vitit 2008.
Në të gjithë morinë e emrave publikë debitorë ndaj pushtetit lokal, dallon dukshëm emri i zv/ministrit të Punëve të Brendshme, që mbulon në këtë dikaster edhe çështjet e pushtetit lokal. Ferdinand Pone, njëkohësisht kryetar i grupit të djathtë në këshillin bashkiak të Tiranës, është i pari që çirret dhe bën moral në aulën ku merren vendimet kryesore për kryeqytetin, për nivelin e ulët të vjeljes së tarifave dhe taksave vendore nga pushteti lokal, por po kështu, në mënyrën më të habitshme, rezulton të jetë vetë borxhli ndaj këtij pushteti. Zoti Pone, nuk paguan taksat vendore që nga viti 2007, ndërkohë që duhet të kujtojmë se jemi në vitin kalendarik 2009.
Nuk shkojnë vetë. I fundit nga deputetët e parë në sportelet e taksave është Neritan Ceka
Shoferët dhe shërbëtorët, shpura hije që paguan taksat e ministrave
Nuk janë të gjithë një kallëp me kryeministrin. Ka edhe nga ata që janë përpjekur të jenë korrektë me administratën lokale, duke i paguar një më një detyrimet vendore. Shembulli më i mirë është Presidenti i Republikës, Bamir Topi, banor i njësisë bashkiake nr.9 në kryeqytet. Qytetari i parë i vendit i ka shlyer detyrimet si për vitin 2007, ashtu edhe për vitin 2008.
Në anën e personaliteteve korrektë ka edhe anëtarë të kabinetit kryeministror, ku vlen të përmenden numri dy i qeverisë, Genc Pollo, si edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Në dallim nga të djathtët në pushtet, opozita duket më e predispozuar për të shlyer taksat. Nëse Astrit Patozi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, rezulton debitor në dy vitet e fundit, Valentina Leskaj, Kryetare e Grupit të PS-së në Kuvend, ka treguar korrektësinë maksimale në shlyerjen e detyrimeve.
Burime pranë njësive vendore deklarojnë për gazetën “Shekulli” se, kryesisht, personalitetet që kanë shlyer detyrimet, nuk trokasin vetë në sportele, por sjellin kryesisht shpurën e tyre të padukshme. Për shembull, ministrat që kanë paguar taksat kanë dërguar shoferët e tyre, që janë bërë të njohur për zyrtarët vendorë, pasi përdoren rëndom edhe për kryerjen e procedurave të tjera ligjore, sikundër mund të jetë marrja e certifikatave.
Por ka edhe nga ata ministra që, për shkak të angazhimeve të shumta ditore, sjellin në sportele bashkëshortët e tyre. Majlinda Bregu, ministre e Integrimit, njëkohësisht edhe zëdhënëse e qeverisë, sipas informacioneve që disponojmë, ka vetëm pak ditë që ka paguar taksat vendore. Kuptohet, nuk e ka ndërmarrë vetë një veprim të tillë, por ka dërguar pranë njësisë bashkiake Nr. 3 në kryeqytet, bashkëshortin e saj, Namik Ajazi.
Më praktik është treguar nënkryetari i Kuvendit Popullor, Neritan Ceka. Banor i njësisë bashkiake, Nr.1, në Tiranë, kreu i PAD-së, i ka habitur pa masë zyrtarët lokalë, ndërsa në ndryshim nga kolegët e tij, nuk ka sjellë shoferët për të mbaruar punët vendore, por është paraqitur vetë.
Zv/ministrat, kopja e shëmtuar e njëshave
Mungesa e korrektësisë në pagimin në kohë të taksave vendore, vihet re me jo pak shqetësim, edhe në nivelin e dytë të pushtetit ekzekutiv, sikundër janë rangu i zv/ministrave. Në bazë të të dhënave që disponon gazeta “Shekulli”, krahas zv/ministrit të Punëve të Brendshme dhe të Pushtetit Lokal, Ferdinand Pone, debitorë ndaj pushtetit lokal, janë edhe kolegë të tij që mbajnë numrin 2 në dikastere.
Familja e zv/ministres së Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanceve të Barabarta, Marjeta Zaçe, ka paguar taksat vendore për vitin 2007, ndërkohë që nuk e ka bërë një gjë të tillë për vitin 2008. Edith Harxhi, zv/ministre e Punëve të Jashtme, e njohur për lidhjet e saj miqësore me vajzën e kryeministrit, ashtu sikurse Argita Malltezi (Berisha), nuk ka paguar asnjë taksë vendore në dy vitet e fundit.
Lista e zv/ministrave borxhlinj, vazhdon më tej me emra të tjerë. Eno Bozdo, zv/ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës nuk ka paguar taksa që në vitin 2007. Iva Zajmi, zv/ministre e Punëve të Brendshme, po kështu. I fundit në radhën e zv/ministrave jokorrektë, është Petrit Karabina, numri 2 në Ministrinë e Mbrojtjes, vetëm se me një saktësim, pasi zëvendësi i Oketës, ka të papaguar vetëm vitin 2008.
Taksat, kush nuk paguan nuk merr shërbime
Taksat vendore, që duhet të shlyejnë qytetarët, dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as ata me kredenciale publikë, janë tre, përkatësisht; e ndërtesës, pastrimit dhe gjelbërimit. Afati i parë i shlyrjes së detyrimeve është muaji shtator. Deri në këtë periudhë gjithçka është vullnetare, pra çdo individ që ka detyrime të tilla, duhet të paraqitet me dëshirë në sportelet e administratës lokale.
Pas muajit shtator, futet në lojë sanksioni ligjor. Asnjë qytetar që nuk paguar taksat vendore në përfundim të muajit të nëntë të vitit kalendarik, nuk përfiton shërbime në administratën lokale, që do të thotë se pa derdhur taksat nuk mund të marrë qoftë edhe një certifikatë, e jo më të kryejë veprime të tjera ligjore.
Detyrimet vendore, 70% e qytetarëve nuk paguajnë
Niveli i vjeljes së taksave vendore, për vitin 2008, është kthyer në shqetësim për pushtetin lokal në kryeqyetet. Në bazë të statistikave që disponon, bashkia e Tiranës, pothuaj 70 për qind e qytetarëve nuk kanë paguar taksat, gjë që ka sjellë probleme në buxhetin e pushtetit vendor. Shifra e mosshlyerjes së detyrimeve është bërë objekt debati edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Kryebashkiaku Edi Rama, ka kërkuar nga ky këshill ndryshimin e formës së vjeljes së taksave, duke ua hequr këtë të drejtë njësive vendore, për t’ia kaluar Postës Shqiptare, e cila ka premtuar realizimin e planit në masën 80 përqind, që në vitin e parë të marrjes në dorë të këtij shërbimi.
Njësitë bashkiake, dhunë ligjore për të vjelë taksat
Problemi kryesor i administratës vendore në kryeqytet, është bërja e njërit sy qorr për individë të veçantë. Jo të gjitha njësitë vendore kanë probleme me vleljen e detyrimeve. Në disa prej tyre, sikundër meriton të përmendet njësia bashkiake nr. 4, tolerimet janë në shkallën zero.
Në këto njësi është vendosur që të mos lëshohet asnjë dokument identifikimi, për personat që nuk janë treguar korrekt në pagesë, gjë që ka sjellë edhe rezultate pozitive. Gjithsesi, në vitin vazhdim, nëse merr pëlqimin nga këshilli bashkiak, pritet që të kemi ndryshime në formulën e vjeljes së taksave, ndërkohë që do të shikohet se sa efikase do të jetë forma e re e zgjedhur nga bashkia.
Emër/Mbiemër Viti 2007 Viti 2008
Bamir Topi Po Po
Ndre Legisi Po Po
Edi Paloka Po Jo
Sokol Olldashi Po Jo
Besnik Mustafaj Po Po
Blerim Çela Po Po
Astrit Patozi Jo Jo
Enkeled Alibeaj Po Jo
Luan Zhegu Po Po
Dritëro Agolli Po Po
Nikoll Gjini Po Po
Sokol Axhemi Po Po
Andis Harasani Po Jo
Edmond Spah Po Jo
Marjeta (Kushtrim) Zaçe Po Jo
Argita Malltezi (Berisha) Jo Jo
Diana Çuli Po Jo
Ylli Bufi Po Po
Aldo Bumçi Jo Jo
Aleksander Biberaj Po Po
Taulant Dedja Po Jo
Bashkim Fino Po Jo
Skënder Gjinushi Po Po
Kastriot Islami Po Po
Gëzim Karapici Jo Jo
Petro Koçi Po Po
Durim Lamaj Jo Jo
Nikoll Lesi Po Po
Valentina Leskaj Po Po
Spartak Ngjela Po Po
Paskal Milo Po Jo
Luan Memushi Po Jo
Ermelinda Meksi Po Po
Fatmir Mediu Jo Jo
Arben Malaj Jo Jo
Genc Pollo Po Po
Leonard Solis Po Po
Paulin Sterkaj Po Po
Musa Ulqini Po Po
Fatmir Xhafaj Po Po
Preç Zogaj Po Po
Edith Harxhi Jo Jo
Iva Zajmi Jo Jo
Petrit Karabina Po Jo
Neritan Ceka Po Po
Eno Bozdo Jo Jo
Ferdinand Pone Jo Jo
Dilaver Laçi Jo Jo
Jemin Gjana Po Po
Pandeli Majko Po Po
Ylli Pango Po Po
Ilir Rusmaili Po Po
Sali Berisha Jo Jo
Shkelzen Berisha Jo Jo
Erion Braçe Po Po
Besnik Dervishi Po Po
Flamur Hoxha Po Po
Shpëtim Idrizi Po Po
Ruzhdi Keçi Po Po
Ben Blushi Po Po
Kiço Blushi Po Po
Anila Godo Po Po
Sabri Godo Po Po
Nard Ndoka Po Po
Shënim: Po (paguar) Jo (papaguar)