SHIRAT/ Rrëshqitja e dheut ka çarë muret e dy banesave duke i bërë të pabanueshme, ndërsa rrezikohen 100 shtëpi
Kryeplaku i Shalësit kërkon ndërhyrjen e shtetit para rifillimit të shirave dhe ndonjë katastrofe për banorët
SARANDË - Shirat e shumtë, dukuri e këtij dimri të ftohtë e të ngarkuar me reshje, kanë dëmtuar rëndë strukturën e kores së tokës në komunën e Markatit dhe kryesisht në fshatin Shalës. Për këtë shkak, në lagjen në veri të qendrës së fshatit, toka ka pësuar një çarje të madhe, të thellë dhe njëkohësisht rrëshqitje,që i ngjajnë një krateri me valë e rrudha. Nga rrëshqitja janë spostuar me dhjetëra metra kub sasi material dheu të paqëndrueshëm.
Gjuha e rrëshqitjes është ndalur vetëm 2-3 metra larg banesës së Ahmet Eminit dhe të Manushaqe Myrtezait. Dy banesat kanë pësuar çarje të konsiderueshme të mureve dhe për pasojë janë pothuajse të pabanueshme. Por rrëshqitjes masive nuk i ka shpëtuar stalla e bagëtive të familjes Emini. Rrëshqitja e ndodhur natën ka përfshirë në materialin e marrë me vete edhe bagëtitë, duke i groposur të gjalla një pjesë të tyre. Humbjet në krerë kanë qenë: 20 keca dhe 6 dhi.
Pronari i banesës, Ahmet Emini, shprehet për “Shekulli”-n: “Shtëpinë sapo e kam ndërtuar me paratë e bijve te mi që gjenden ne emigracion. Por sot u porositëm nga specialistët gjeologë të nënprefekturës , të mos banojmë në të, sepse janë në rrezik jetët tona”. Dëme të konsiderueshme kanë pësuar edhe shtëpi të tjera të lagjes Barçë. Banorët e fshatit thonë se të 100-të shtëpitë e kësaj lagjeje janë të rrezikuara, madje aq shumë sa mund të groposen plotësisht.
Të këtij mendimi janë edhe specialistët gjeologë, që inspektuan zonën dy ditë më parë. Ata shprehen se vetë formacioni strukturor prej dheu të butë vendosur mbi sipërfaqe shtufi, në prezencën dhe veprimin e mbingarkesave nga ujërat e ardhur përmes reshjeve, kanë shkaktuar rrëshqitjen. Pritet që ky proces të vazhdojë edhe më tej, duke e bërë këtë lagje dhe banesat e ndërtuara aty të dalin jashtë përdorimit.
Veç dëmit të shkaktuar, rigjetja e nje strehimi për banorët është kthyer në një shqetësim dite. Jo pa ankth ata presin përgjigje se cili do t’ua ndërtojë shtëpitë e reja në të cilat duhet të banojnë pas largimit nga ato ekzistuese.
Ndërkohë mësohet se rëshqitja e këtyre ditëve ishte një dukuri e paralajmëruar, pasi specialistët e komunës kanë ndërhyrë edhe më parë për të minimizuar rrezikun e dëmit që do të shkaktonte një rrëshqitje të mundshme, duke ndërtuar në vendin e rrezikut një mur mbajtës 70 m të gjatë dhe 3 m të lartë.
Kryeplaku i fshatit Shalës, Sadik Haruni, thotë se “fshati ka vite që jeton me ankthin e rrëshqitjes. Një shkarje e dytë rrezikon pjesën tjetër të fshatit. Sot (dje) rruga për në qendër të fshatit është bllokuar”. Ndërkohë, pritet ndërhyrja e shtetit për të mos u rrezikuar jetët e banorëve nga një rrëshqitje tjetër, që me rënien e parë të shiut, mund të riaktivizohet.