Librazhd, 50 familje të bllokuara nga bora
Dëbora ka bllokuar disa fshatra të Komunës Qendër në Librazhd. 50 familje të bllokuara nga dëbora në fshatin Qarrishtë, kërkohet ndihma nga ajri për ushqime. Familjeve u kanë mbaruar rezervat. I pa mundur furnizimi nga toka. Ende mbeten problem fshati Qarrishtë i Komunës Qendër, fshati Bardhaj i Komunës Rrajcë, por dhe mjaft fshatra të Komunës së Stëblevës dhe të Sopotit të Komunës Stravaj që kërkohet ndërhyrje nga ajri. Trashësia e borës në këto fshatra është 1-1,5 metra. Në shumë fshatra nuk është zhvilluar mësimi.
--------------------------------------------------------
Bllokohen në Valbonë 15 turistë izraelitë
Fshatrat e Luginës së Valbonës po frekuentohen nga turistët e huaj edhe gjatë dimrit, në turizmin dimëror apo të aventurës. 15 turistë nga Izraeli kanë mbetur të bllokuar në fshatin Rragam të Shalës në Valbonë ku trashësia e borës ka arritur në rreth 2 metra.Turistët nga Izraeli janë adhurues të sporteve dimërore dhe kishin udhëtuar në ditët e para të vitit për në fshatrat e Luginës së Valbonës për të ushtruar sportet dimërore dhe ato të aventurës.
“Mbaj kontakte të vazhdueshme me fshatarët ku janë akomoduar turistët izraelitë. 15 turistët janë shëndoshë e mirë në fshatin Rragam të Shalës, duke ngrënë mish të thatë me fasule nëpër shtëpitë e fshatarëve të kësaj zone”,- thotë si me shaka kryetari i komunës së Margegajve, Rexhë Biberaj.
-----------------------------------------------------------
Elbasan, bora bllokon autobusin me mësues
Autobusi i disa arsimtarëve është bllokuar në vendin e quajtur “Qafa tek Dardhat e Boshkut” nё Labinot Mal tё Elbasanit. Sipas tё dhёnave nga vendngjarja, autobusi nuk ka mundur tё vazhdojё rrugёn drejt shkollave dhe është kthyer pasi është hapur rruga. Fshati Labinot-Mal ёshtё njё nga zonat mё tё thella malore tё Elbasanit. Ai pёrbёhet nga 8 fshatra me 5 mijё banorё.
----------------------------------------------------
Vdes në spital 57-vjeçari i vetëhelmuar
ELBASAN- Një 57-vjeçar ka gjetur vdekjen i vetëhelmuar në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Azis Tufa u dërgua në spital mbrëmjen e së mërkurës në gjendje të rëndë për jetën nga familjarët, pasi kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme helmi organik. Megjithë ndërhyrjen e mjekëve, ai ndëroi jetë rreth orës 1:00 pas mesnate. Për këtë rast ka nisur edhe një hetim nga policia për të përcaktuar shkaqet e vetëhelmimit. Sipas të dhënave të para, gjendja depresive e shkaktuar nga problemet ekonomike e kanë çuar drejt aktit fatal. B.Nergjoni
-----------------------------------------------
Prej një muaji i humbur një shtetas
SHKODËR - Një 76-vjeçar me banim në Shkodër ka humbur prej një muaji dhe të afërmit e tij nuk dinë asgjë për të. Këtë fakt e kanë bërë publik familjarë të 76-vjeçarit Bardhok Ndue Biba, të cilët pasi kanë marrë kontakt me të gjithë të njohurit e tyre dhe nuk kanë gjetur asnjë të dhënë për të moshuarin, kanë kërkuar ndihmën e medias.
Mësohet se 76-vjeçari jetonte i vetëm, pasi fëmijët i kishte në emigracion. Ai banonte në Shkodër ku kishte një shtëpi, por shkonte vazhdimisht dhe qëndronte me ditë të tëra dhe në Tiranë, ku kishte një tjetër shtëpi. Hera e fundit që është komunikuar me 76-vjeçarin ka qenë nga të njohur e të afërm në Shkodër, një muaj më parë.
Më pas ai nuk është parë. Fillimisht është menduar se ai ka lëvizur për vizita të ndryshme ose mund të kishte shkuar në Tiranë, por mungesa e gjatë ka bërë që të afërmit ta kërkojnë, por pa mundur ta gjejnë. Mësohet se 76-vjeçari nuk ka vuajtur ndonjë sëmundje.
---------------------------------------------------
Hamil, të vdekurit varrosen me traktor
FIER - Janë 250 banorë të fshatit Hamil në Fier, të cilët gjatë muajve të dimrit, sidomos ditëve me reshje shkëputen përfundimisht nga qyteti me javë të tëra. Kjo për shkak të rrugës së këtij fshati, e cila është e pakalueshme jo vetëm nga mjetet, por edhe nga këmbësorët. Fshatarët tregojnë se kjo situatë ka 30 vjet në këtë gjendje, ku të gjallët kanë frikë se mbas vdekjes do t’i lënë me ditë të tëra pa i varrosur.
Dhjetëra mjete qëndrojnë rreth 3 km larg banesës ku vajtohet për mort, ndërsa arkivoli vihet mbi traktor e sa për kortezhin, ai qëndron mes arave të mbjella me grurë. Për vite me radhë, të gjitha familjet kur kanë të tilla fatkeqësi pajtojnë një traktor për të përcjellë njeriun e tyre të dashur në varrezë. Edhe ky i fundit e ka të vështirë të kalojë në këtë rrugë, pasi do të përballet gropa të mëdha, me llucë e ujë duke rrezikuar që arkivoli të bjerë në baltë. Dhe janë vetëm 3 kilometra rrugë që e ndajnë këtë fshat nga rruga kryesore.