"Nuk mund të bëhesh Narcist me dëshirën tënde. Sa njerëz përulen mbi ujë e shohin veçse shëmbëlltyrë të vagullt njeriu", shkruan Jean Paul Sartre. Shëmbëlltyra janë edhe ato njerëz të cilët duke shënuar adresa të rreme, kanë guximin e tërbuar të dërgojnë letra apo mesazhe elektronike të mbushura me shpifje monstruoze. Fshehja e fytyrës tregon se këtyre njerëzve u mungon kurajo civile vetjake, se nuk kanë besim tek shoqëria e për këto e kanë hak të quhen "anonimsa".
Ndërkohë që ruajtja e anonimatit nga krijues të ndryshëm është diçka tjetër, e për të nuk e kemi fjalën aspak. Vepra e anonimsave është produkt i keqpërdorimit që ata i bëjnë lirisë në përgjithësi dhe asaj të mediave në veçanti. Më shkoqur do të thonë: të hedhësh gurin, ta dhunosh tjetrin, të fshehësh dorën e të mbetesh i nderuar.
Kuptohet, anonimsin nuk e bën dot gjithkush, pasi është zanat më vete, e i vjetër sa edhe shkrimi. Gjuha me të cilën shprehen anonimsat-pafytyrsat ka kumbimin e errësirës, m.gj.atë kjo gojë nuk mund të mbyllet përderisa të shprehurit është i lirë. Po në liri, fatmirësisht, zërat e ngjirur të natës harrohen me të zbardhur dita. Historikisht, firoma e anonimsave ka ndjellë vetëm krupën, por jo në të gjithë shoqërinë. Në vitet e gjata të socializmit shqiptar anonimsat- duke mbajtur në njërën dorë lapsin e në tjetrën letrën- bënë qejf sa mundën.
Çuditërisht, edhe sot pafytyrësat po hanë bukë përsëri. Ata po përdorin dhunshëm arritjet e shkencës së komunikimit për t'ua trazuar ndjenjat po njerëzve të ndershëm. E për këtë nuk është faji i internetit. Përkundrazi, interneti, kjo arritje e madhe shoqërore funksionon si një mushkri enorme, e cila thith paprerë ajrin e pastër e i jep begati jetës. Ndërsa njerëzit që fshihen si vemje, me qëllimin e zi për të helmuar të tjerët, janë ajri i qelbur, janë evlatët e pangopur të diktaturës, gagarelët e demokracisë që s'ngopen së mburruri me petkat e tyre të ngushta e dalëboje.
U zgjatëm ca, por është e drejta tonë të zbulojmë kuptimin e anonimsave edhe sipas shijes sonë. Është thjesht një ballafaqim idesh, në të cilin edhe nëse jemi kapur pas asaj që quhet ndershmëri, nuk lëkundemi. Nuk lëkundemi sepse njerëzit e mirë janë shumica paçka së për momentin, ata, të gjendur nën stresin e dhimbshëm që mbart vështirësia e perceptimit të asaj vijës së hollë, tepër të hollë që ndan të mirën nga e keqja, të vërtetën nga e gënjeshtra, vesin nga virtyti, duken të tulatur. Sidoqoftë, sot e mot, anonimsi mbetet një thumb i hidhur të cilin, ajo, dhe vetëm ajo pjesa e vagullt e shoqërisë e ngul atë.