SAN MARINO: Zëdhënësi privat i Kryeministrit, Shpat Kroi, i konfirmoi sot agjencisë së lajmeve “Obobo News”, se, duke filluar nga dt.14 korrik 2008, qytetarët e Republikës së Shqipërisë mund të lëvizin pa viza në drejtim të Ishujve Papafanga, një mbretëri e vogël dhe paqësore në Oqeanin e Qetë.
Vendimi për heqjen e vizave u mor nga të dy palët, gjatë një bisede të gjatë telefonike midis kryeministrit shqiptar Berisha, dhe princit trashëgimtar të kurorës të Mbretërisë së Ishujve Papafanga, shkëlqesisë së tij, Irdran Dvirdra.
Thuhet se Berisha dhe Dvirdra janë takuar për herë të parë rastësisht gjatë punimeve të Forumit të Crans Montanas, pasi Kryeministri ynë u ndal për t’i dhënë ndihmën e parë monarkut nga Paqësori, i cili ishte aksidentuar duke rrëshqitur me ski, së bashku me bashkëshorten e vet, Bashka.
Thuhet edhe se Shkëlqesia e Tij Dvirdra i ka premtuar kreut shqiptar të Ekzekutivit se do të ushtrojë ndikimin e tij të konsiderueshëm, që në një të ardhme të afërt edhe Ishujt Tonton-Makut, Ishujt Toptan-Zasllan, dhe kalifati i Salabakut të lejojnë hyrjen në territoret e tyre të shqiptarëve pa viza.
Republika Shqiptare, nga ana e vet, do të bëjë çmos që Komisioni i OKB-së për Mbrojtjen e Faunës Paqësore t’i ndezë dritën jeshile flotës luftarake-detare të ishujve Papafanga për të vrarë një balenopterë të sëmurë, e cila që prej dy vjetësh ua ka nxirë jetën jahteve private që rreken të hyjnë në molon e vetme turistike të ishullit.
Zëdhënësi Kroi nuk pranoi të komentonte rreth zërave se, gjatë bisedës së tyre telefonike, kryeministri Berisha bisedoi me princin Dvirdra edhe për mundësitë që firmat private nga Ishujt Papafanga të investojnë në industrinë e amortizuar shqiptare të konservimit të peshkut. Përgatiti: Hrisulla Ksestra