A kini dëgjuar Kryeministrin ose ministrat, të flasin për të metat e punë së tyre, të thonë se ky ose ai premtim nuk u arrit? Asnjëherë jo! Konfliktin më të madh qeveria e ka me ish-ushtarakët dhe veçanërisht ata të para viteve ‘90. U ka bllokuar këtyre ushtarakëve shtesën e pensionit që duhet t’u jepte më 1 janar 2006. Nuk e dha këtë edhe pasi Gjykata Kushtetuese ligjin për këto pensione e quajti të drejtë.
Shoqata e Ushtarakëve ka bërë përpjekje për ta zgjidhur problemin, ka shpjeguar dhe rrugët se si të jepet ky pension, me qëllim që të mos rëndohet Buxheti i Shtetit. Është ngritur problemi në organizmat ndërkombëtare përkatëse, por vendosmëria kundërshtuese e z.Berisha në këtë pikë, lë qartazi të kuptohet se është jo kundërshtar, por armik i ish-ushtarakëve. Për këtë arsye dhe Shoqata e ish-Ushtarakëve duhet të vijojë përpjekjet, derisa Kryeministri t’i zbresë kalit.
Ne jemi dhe do qëndrojmë të fortë në të drejtat tona, në duam të dimë se ku po i përdor qeveria paratë tona, kush përfiton nga ato? Ç‘dallavere po bëhen me këto fonde që Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se i ka?
Ne ish-ushtarakët jemi njerëz me shpirt të madh, se kështu u edukuam. Shohim se po bëhen greva urie përditë, kërkohen të drejtat që u janë mohuar nga punëtorët e Gërdecit famëkeq, nga minatorët në të gjithë vendin. Janë shtrirë aty, përpara Kryeministrisë dhe Qeveria qëndron po aty pa u dhënë përgjigje, pa llogaritur se po rrezikohen jetë njerëzish. Çmimet rriten përditë, njerëzit janë pa punë, bujqësia nuk prodhon. Qeveria lë të kuptojmë se për të, pranimi në NATO është çelësi i të gjitha të mirave. Jeni gabim po të mendoni kështu, kjo do të thotë të fluturoni pa krahë. Lërini fjalët e bukura në TV, ngulini këmbët në tokë dhe hidhini sytë të jeta e përditshme e popullit.