Edhe këto ditë të nxehta korriku, si këtu e 18 vjet më parë, dosjet janë problemi i ditës, problem që ka zëvendësuar krizën e ujit, të dritave, të minatorëve etj., etj. Po shterohet energjia “intelektuale” me një zell të patreguar. Duket si një garë ku protagonistë janë në rivalitet për të fituar medaljen e meritës apo për të mbetur në historinë e re.
Nuk e kuptoj zellin që po dëshmohet kundër “spiunëve”. (Sa për dijeni, personat që kanë bashkëpunuar me Sigurimin nuk janë “spiunë”, por “bashkëpunëtorë” të organeve të sigurisë së kohës, spiunë mund të quajmë ata që bashkëpunojnë me agjenci informative apo shërbime sekrete të shteteve të tjera).
Më duket teprim, që të gjithë mëkatet apo zullumet e 50 viteve diktaturë, t’i atribuohen vetëm një organi.
Nëse do të hapen dosjet, do të ketë vetëm pasoja negative: Do cenohet rëndë Sigurimi Kombëtar dhe gjendja e sigurisë.
Do të demotivohen dhe do të pësojnë tronditje burimet njerëzore të shërbimeve aktualë të sigurisë. Do të ngjallet dhe rritet kulti deri në mit i sindromës “Sigurim”, sidomos në radhët e rinisë.
Do të cenohet dinjiteti i personave që do të përballen me efektet e kontroll-verefikimit dhe familjet e tyre, sidomos nga shtresa e të persekutuarve dhe të përndjekurve politikë.
Për ndëshkimin e krimeve të diktaturës dhe të autorëve të tyre, kam mendimin se do të ishte më me vend që të rihapeshin, të hetoheshin dhe rigjykoheshin procese të veçantë, si procesi kundër grupit të deputetëve, i bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë, procesi ndaj grupit të Bërzeshtës etj.