Mbështes shqetësimin e nxënësit maturant që është prononcuar në gazetën “Shekulli”, të datës 6 korrik, tek Letrat e Lexuesve. Dhe jo vetëm ky vit, por edhe 2007-a u shoqërua me një fenomen të tillë të kopjimit në Maturën Shtetërore. Dhe këtë e them me përgjegjësinë më të madhe, pasi në të vërtetë, nxënës me një mesatare të dobët gjatë vitit shkollor, arritën të marrin nota të larta në provimet e maturës dhe për këtë fakt nuk u ngurrua as edhe nga drejtues të lartë vendorë, që këta nxënës të quhen ajka dhe truri i rrethit të Kukësit, madje përfituan edhe shumën e Ekselencës të dhënë nga Bashkia.
Japim kështu, të gjithë bashkë si shoqëri, një shembull demoralizues për ata fëmijë dhe nxënës që punojnë vërtet dhe besojnë tek vlerësimi real.
Këta nxënës të mirë të katër viteve, pasi shohin se në fund të vitit startojnë dhe gati marrin stafetën e triumfit ata që ishin fshehur diku aty pranë dhe në finish dalin dhe arrijnë gati të parët, bëhen pesimistë. Ne prindërit i dëgjojmë kur na thonë: “Si mund të studioj unë, ose ne, në një universitet ose në një bankë me ata që për katër vite kanë marrë vetëm një libër ose fletore me vete?”.
Shumë prej tyre në fakt konkurrojnë për universitetet jashtë vendit, pas kësaj. Një nxënës që për katër vite bie në gjumë në 12 të natës dhe ngrihet në katër ose pesë të mëngjesit për të studiuar, të jetë i barabartë me një tjetër që i ka ndenjur ora 12 gjithmonë, nuk është aspak e drejtë.
Këto padrejtësi na vrasin të gjithëve, na bëjnë më të dobët e më të padrejtë si shoqëri. Jemi ankuar në Drejtorinë Arsimore për këtë problem dhe na është thënë së për përzgjedhjen e nxënësve Ekselentë, është përdorur një mesatare nga Ministria e Arsimit (mesa duketedhe kjo mesatare është përllogaritur në bazë të notave të Maturës Shtetërore dhe për pasojë, as që janë marrë në konsideratë notat e katër viteve rresht).
Mos vallë kjo situatë u intereson Drejtorive Arsimore, pasi ndikojnë në rritjen e notës mesatare të përgjithshme për shkollat e mesme përkatëse?
Prandaj duhet të studiohet mirë ky fenomen nga MASH dhe vartësit e tyre, pasi në të vërtetë, ndoshta, ky sistem testimi është i një niveli të lartë, por ka mangësi në menaxhimin dhe funksionimin e tij. Kërkoj si prind dhe qytetare që të dërguarit nga Tirana, kur shkojnë në rrethe si të deleguar për Maturën Shtetërore, të mos e konsiderojnë këtë si udhëtim turistik dhe sa për të marrë dietat, por si përgjegjësi të madhe morale. Me respekt, nga një prind me të njëjtat pasoja në Maturën 2007.