Zoti Berisha, ju duhet të jeni i mirinformuar për shitjen ose faljen e rërës së Shqipërisë drejt komunave të Puljes. I mësuam dje nga gazeta me emër si “Guardian” dhe “La Stampa”. Kur janë dhënë këto premtime, me çfarë çmimi do të shitet rëra e plazheve të Vlorës, çfarë sasie do të jepet? Është e mundur të bëni transparencë, për herë të parë ndoshta ashtu siç duhet, në kohë dhe para se faktet të bëhen të kryera, para popullsisë së Gjirit të Vlorës dhe gjithë opinionit publik shqiptar?
Ka pasuri të nëntokës që janë shitur historikisht edhe në vendin tonë, ka prodhime të tokës që janë shitur e do të shiten vazhdimisht, por që të shesësh ose falësh vetë tokën për të huajt, siç keni bërë në rastin e bregdetit para ish-fabrikës së Sodës për “Petroliferën” dhe siç keni ndërmend të bëni tani me rërën e virgjër të plazheve tona, kjo shkon shumë larg.
Rëra është krijuar si e tillë në miliona vjet, ajo u vlen plazheve tona, po aq sa dhe atyre italiane. Edhe bregdeti ynë po vuan nga erozioni dhe përparimi i detit, sikurse bregdeti italian. Në rast se turizmi sot tek në është i prapambetur, ai padyshim nuk do të jetë i tillë në një qeveri tjetër, ndryshe e shumë më të mirë se ky që përfaqësoni ju sot. Këto dy të vërteta ju heqin çdo të drejtë të bëni tregti me rërën e bregdetin shqiptar, aq më pak me rërën e një Gjiri me destinacion turistik, me ekuilibra aq të rrallë e të çmuar historikë, sa ç’është ai i Vlorës.
Ju dhe paraardhësi juaj Fatos Nano keni planifikuar vepra nafte dhe vepra të tjera industriale në Gjirin tonë, pa e pyetur publikun, në shkelje të plotë të Konventës së Aarhusit; ju e keni falur Ishullin e Sazanit dhe Gadishullin e Karaburunit për interesa strategjike të të huajve; ju po ndaloni prej vitesh vlonjatët të lëvizin me varkat a motobarkat e tyre në detin e tyre; ju keni premtuar një zonë të madhe prej Karaburuni në Radhimë për t’u mbushur me mullinjtë e erës të një kompanie siciliane. Ngremë pyetjen: Zoti Kryeministër, vërtetë mendoni se jeni pronar dhe e keni të papenguar dorën në Vlorë? Vërtetë mendoni së vendosni ju për të ardhmen e këtij vendi, sipas pazareve të ditës që ofron aksh kompani ose filan qeveri e huaj?
Zoti Berisha, prapësoni çdo plan për faljen e rërës së Shqipërisë, plazheve të Pulies a çdo vendi tjetër. Ju e mbani mend si u ngritën himariotët për anijet që vidhnin rërën e tyre për ta çuar drejt Korfuzit. Shqiptarët nuk janë ndonjë popull kolonish që të lejojnë t’u rrëmbehet para syve toka, ajri dhe uji i tyre, qoftë dhe me nënshkrime të një Kryeministri, ministri Mjedisi a çfarëdo ministri tjetër qoftë, nënshkrime në fund të fundit pa vlerë.
Letër e nënshkruar
Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës