Iu riktheva përsëri së lexuari veprave të tua e shkrimeve historike, iu riktheva punës e jetës suaj me të mirat, të këqijat e veseve të tua. Si çdo njeri dhe ju keni meritat tuaja për të cilat ju përshëndesim e ju përgëzojmë. Për meritat e kontributit tuaj, janë thënë mjaft fjalë të mira, ju kanë thurur lëvdata duke ju quajtur një burrë të mençur e të urtë. Ju heq kapelën, siç thotë populli për zgjuarsinë, intuitën, fantazinë, luftën që keni bërë, sakrificat që keni hequr, vuajtjet që ju kanë lëvduar pa u sakrifikuar sepse kjo është “zgjuarsi”, por dhe si politikan që me maturinë, urtësinë keni dhënë kontributin tuaj më të mirë të vendit, por më shumë dhe në interes të familjes suaj dhe kjo e fundit është më kryesorja e mirë që keni bërë, se siç thotë një fjalë e urtë, ai që nuk është për shtëpinë e tij, nuk është për njeri tjetër e as për vendin e tij.
Por në të gjitha shkrimet e tua një gjë më bën përshtypje, pse personazhet në romanet e shkrimet e tua kanë në thelb dinakërinë. Mos vallë dhe intuita juaj është e tillë, mos ndoshta dhe në personazhin tuaj ekziston një trashëgimi e tillë, sepse në kohëra të ndryshme e situata të ndryshme, ashtu si dhe personazhet e tua, ju jeni përshtatur më së miri dhe kjo është një “zgjuarsi”, por dhe një dhunti. Keni manovruar mjaft mirë me sistemin e kaluar, manovruat akoma më mirë në sistemin që u futëm dhe ashtu si shumë të tjerë, nxorët në pah dinakëritë tuaj, por edhe zgjuarsinë. Fjala jote, qëndrimi juaj gjatë këtyre 18 viteve nga njëra anë jepte mesazh e shpresë, maturi, ndërsa nga ana tjetër, hipokrizi e dinakëri.
Si “xhongler” që jeni, pasi si shumë të tjerë morët prona, jo të babait, por të gruas, siç thotë Çajupi: “Burrat nën hije, luajnë kuvendojnë, pika që s’u bie se nga gratë rrojnë”, krijuat një parti pa njerëz, volët e molët sa deshët, e në fund e shite, apo e ke dhënë me qira te Fatmir Mediu dhe akoma vazhdoni të milni e të vilni. Por prapë në fshehtësi e dinakëri, pasi morët honoraret e Gërdecit dhe keni rreth 4 muaj pa to dolët përsëri në skenë për ministri të tjera, por jo të dorës së dytë e të tretë, por të dorës së parë, aty ku është leku e tenderi, siç është Ministria e Shëndetësisë, Bujqësisë etj. Jo, z.Godo! Edhe sytë tuaj që shohin poshtë kur flisni kanë domethënien e vet “dinakërinë”.
Një fjalë e urtë thotë, “Ruhu mos gabosh në pleqëri, se këto të fundit mbahen mend”, të gjitha meritat i hedh poshtë menjëherë, e merr prapa një gjëegjëzë. Na ishte një herë një dhelpër dinake...