“Turp, për të dy krahët e politikës shqiptare!”
Turp, për të dy krahët! Kjo është fjala që thuhet nga të gjithë ne, kur shohim se Parlamenti shqiptar është i mbushur me horra (në plot kuptimin e fjalës), spiunë, klounë, memecë, pehlivanë, sharlatanë, provokatorë e isombajtës.
Letër e nënshkruar Ekleva Reçi
Hene, 28 Korrik 2008 08:26:00
Turp, për të dy krahët! Kjo është fjala që thuhet nga të gjithë ne, kur shohim se Parlamenti shqiptar është i mbushur me horra (në plot kuptimin e fjalës), spiunë, klounë, memecë, pehlivanë, sharlatanë, provokatorë e isombajtës. Në gjithë këtë ansambël, duhet t`u kërkoj falje asaj pakice deputetësh që aspirojnë vërtetë për atë ç`ka populli ka votuar. Kur sheh atë që bëhet aty, që nga Kryeministri, Kryetarja e Parlamentit, ministrat e deputetët, ç`mund të presësh nga të tjerët? Mjerë ky popull kush e qeveris! Si mund të pretendojmë për kulturë jetese, kur s`kemi atë më minimalen, një qeveri të kulturuar (se për të tjerat s`po pretendojmë). Pseudo-parlamentarët tanë s`kanë ç`të përfitojnë më nga njerëzit, sepse kanë harruar modestinë.
Ky popull ua ka kuptuar zbrazëtinë e shpirtit, ndaj ndihen të gjykuar në heshtje prej masës me një ashpërsi që e meritojnë. Ata i karakterizon një nevojë e brendshme për lajka, nevojë që s`arrijnë dot ta mposhtin. Gërryhen nga dëshira që të duken ata që s`janë e shpresojnë të fitojnë dashurinë dhe respektin e njerëzve, edhe pse e dinë që s`do ta kenë kurrë. Nevojën e tyre për mercenarë e kuptojmë të gjithë. Si në një fushë beteje, Kryeministri ynë vret me fjalë për të mos e vrarë, mashtron se s`duron që ta mashtrojnë, në vend që në gjithë këtë rrëmujë turpëruese, të vërë si pengesë ndërgjegjen e zemrën, por asnjëra nga këto s`ndodh, e ajo ç`ka është më e keqja, është fakti se ai tallet me njerëzit me një hipokrizi absurde e me një fytyrë ku lexohet qartë: "MBRETI JAM UNË!", duke harruar që piedestalit të tij po i luan themeli.
|