Është një shprehje e veriut tonë, që thotë: “Gruja m`shpen e druni m`tef, bajn sa deti”. Ta komentojmë: Gruaja në shpinë dhe druri në teh, pra në gjatësi, mbajnë aq sa peshë edhe goditje, pa masë, sa deti.
Pasi është rritur në një familje dhe shoqëri ku gruaja rrihet e diskriminohet edhe djaloshi, pasi bëhet burrë ndjek “traditat” e familjes. Tradicionalisht, dhuna mbi gruan nuk është quajtur dhunë.
Sot ndërthurja e normave arkaike të traditës ndërthuret me kulturën europiane dhe normat e tolerancës. Këtu edhe është ai që quhet kontrast dhe tronditja e familjes shqiptare.
Arsimimi luan rol, por jo në një shoqëri, ku ndaj femrës ka norma të tjera të dallueshme me ato të burrit. Në Teheran, p.sh., është një universitet me tradita sa edhe ato europiane, por nuk guxon kush të heqi shaminë nga koka. Jo vetëm dënohesh moralisht nga shoqëria, por edhe ligjërisht.
Respekti dhe toleranca për tjetrin, vetëkomandimi dhe qetësia në raste ekstreme, sidomos për gruan është kulturë, jo arsimim. (Këtu është edhe rasti i Kryeministrit që shan sa i ha goja dhe jo truri).
Autonomia financiare ka rëndësinë e saj. Grekët kanë një traditë. Kur martohet çifti, prindërit e nuses bëjnë dhurate (pajë) martesore një apartament, ose kush nuk ka mundësi ekonomike, shton shtëpinë përkrah. Ndërsa dhëndri e mobilon ose e pajis atë. Pra në një konflikt radikal të mundshëm, gruaja nuk ngelet jashtë por ka pronën e patundshme të trashëguar. Kjo i jep asaj pasuri minimale fillestare, të cilën burri më pas duhet ta shtojë. Pra, gruaja ka në familje një pozicion vetë vendimmarrës dhe jo të varur ekonomikisht.