Lexoj në një gazetë: “Senati i Fakultetit të Universitetit të Vlorës i heq emrin “Ismail Qemali” këtij institucioni”. Në fillim e quajta një lajthitje dashakeqëse të botuesit të gazetës. Më pas të gjitha mediet e interpretuan, me orar e pa orar. Më e keqja, pa u pritur miratimet nga organet përkatëse të kësaj lajthitje zhurmëmadhe, është kaluar në veprim konkret. Janë dhënë diplomat e fundit pa emrin e institucionit. Arsyetimi: "I heqim emrin se Ismail Qemali nuk ka qenë akademik!?”. E shkruar e zezë në të bardhë dhe e firmosur dhe u vulosur në verën e nxehtë të vitit 2008.
Çdo mendje e civilizuar u çudit për këtë ngjarje të paprecedentë. Shumë arsyetime u klloçitën: në kulla e pallate; në male e në fushë; në tryeza të rrumbullakëta e me kënde; televizione privat e shtetëror. Asnjë arsyetim i shëndoshë nuk po i del zot këtij veprimi. Me këtë shkrim nuk kam ndërmend të shkruaj në mbrojtje të Ismail Qemalit, se edhe fëmijët e kopshtit e njohin veprën e tij. Më shqetëson fakti se ky veprim nuk është i vetëm e i rastësishëm dhe shtratin e ka tek zënkat midis nesh vend e pavend, kohë e pakohë.
Me sinqeritet, me dashuri i drejtohen edhe Ismail Kadaresë edhe Rexhep Qoses, mos e përgojoni njërin-tjetrin ju që jeni mjeshtra të gjuhës sonë kombëtare. Nga dijet e shumta, nuk dihet se ku do të ndaloni. Mendoni pak edhe për në adhuruesit e shumtë tuaj, që ndjejmë dhembje ku dikush ju përbalt. Mendoni si ndjehemi në kur nga goja juaj dëgjojmë fjalë që nuk ju shkojnë aspak me ato çka keni shkruar. Të jeni të bindur se edhe zënkat e juaja kanë zënë vend në arsyetimin e Senatit të Universitetit të Vlorës për të hequr emrin e Ismail Qemalit. Ne ndjehemi krenarë që jemi bashkëkohës e bashkëkombës me ju. Me të drejtë u shqetësuat që u hoq emri i Isamil Qemalit. Edhe në kemi të drejtë të mos dëgjojmë fjalë të këqija për ju, pavarësisht se nga cila gojë artikulohen ato. U nisëm për liri fjale, artistike, veprimi e për të pasur më shumë dashuri, mirënjohje e respekt ndaj njëri-tjetrit. Të vëmë në panteon, ata që kanë dhënë për këtë komb. Mendoj se kështu do të ruanim vlerat tona kombëtare dhe nuk do të dëgjonim më bëma si të Senatit të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”.
*Autori është shkrimtar