Dhuna është një nocion shumë i gjerë dhe unë jam i mendimit se në mes çifteve, kryesisht intelektualë, përqindja më e madhe e të dhunuarve shkon nga meshkujt. Mos u çuditni shumë, meshkuj të kësaj kategorie jetojnë gjithë kohës të dhunuar psikologjikisht dhe kjo jetë është po aq e vështirë sa ajo kur shoqërohet me dhunë fizike.
Shumëkush mund të thotë: Aman ore ç’na the! Unë e fus veten në një njeri të dhunuar psikologjikisht nga gruaja dhe shpesh i bëj pyetje vetes: Përse jam i këtij mendimi, mos nisem vallë vetëm nga rasti im? Mos jam një rast i vetëm, ose i rrallë?
Gjatë gjithë këtyre viteve bashkëshortore kam fiksuar me mijëra raste dhe kjo më bën të dal në konkluzionin se, edhe ne meshkujt jemi të dhunuar. Unë jam duke e pohuar këtë fakt, por mjerë ata meshkuj që vazhdojnë ta vuajnë dhe nuk prononcohen në këtë debat.
Po e vazhdoj idenë duke u nisur nga vetja. Si unë dhe bashkëshortja, kur u lidhëm në martesë kishim mbaruar nga një fakultet, por unë nuk mund ta quaj veten apo bashkëshorten intelektuale, ashtu siç rëndom etiketohen njerëzit me shkollë të lartë.
Në moshën 32 vjeçare, kur u martova pretendoja se e kisha aq kulturë dhe përgatitje për të krijuar një familje normale dhe të dija të edukoja fëmijët e mi. Isha djalë i vetëm dhe sipas traditës shqiptare me dukej normale, që të jetoja së bashku me nënën time.
Në shtëpinë time, falë tolerancës time dhe të nënës, bëhej ashtu siç dëshironte bashkëshortja. Megjithatë cicmicet e kësaj të fundit nuk kishin fund. Duke parë këtë gjendje, nëna ime pasi u shpreh se ndoshta gjithçka vjen nga prania e saj, më propozoi që ne të ndaheshim prej saj.
Unë, tepër i prekur e hodha poshtë propozimin e saj dhe vazhduam të bashkëjetonim.
Në këtë moment, dua të pyes lexuesit, a ishte normale apo e gabuar hedhja poshtë nga ana ime e propozimit të nënës? Dua të theksoj se duke qenë se kisha ngelur jetim qysh në moshë të re, nëna kishte sakrifikuar aq shumë në jetë për të më edukuar dhe arsimuar dhe nuk m’u duk e udhës që të ndahesha prej saj.
Përsëri pyes: Veprova drejt të dashur lexues? Para disa vjetësh, pasi fitova Lotarinë Amerikane u largova në këtë vend të largët me zemrën të copëtuar, duke lënë të vetmuar atë që më kishte sjellë në jetë dhe që në moshën 70-vjeçare kishte më shumë nevojë për mua. Edhe pse e vrarë për largimin e dritës së syrit, nëna ime përsëri ndjente një farë gëzimi, duke menduar se në emigracion bashkëshortja ime do t’i ndërpriste gërr-vërret dhe do të jetonim të lumtur.
Më besoni vëllezër, fëmijët e mi e urrejnë nënën e tyre për karakterin e sjelljet që shfaq. Nëse veprimet e saj do t’i denoncoja në polici, unë ose fëmijët e mi, ligjet amerikane me siguri do ta kishin dënuar prej vitesh. Por ashtu si ato nëna e motra shqiptare, që për hir të fëmijëve durojnë gjithë jetën dhunën e burrave, edhe unë kam vendosur që, për hir të fëmijëve do ta duroj bashkëshorten time.
Lutem, më ndihmoni me komentet tuaja. Respekt për gjithë ato çifte që kalojnë jetë të lumtur dhe në harmoni.