Kam përshtypjen se media u mor pak me ndryshimin e Kushtetutës për kufizimin e kompetencave të Presidentit të Republikës. Në gjykimin tim është një përpjekje e re, në vijim të tendencës kontrolluese që ka Kryeministri jashtë kohe i këtij vendi.
Orvatjet brutale për të vene nen kontroll KLD-ne, Gjykatën e Larte dhe Prokurorinë shqiptare me çdo çmim, dhunimi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë me sharje e kërcënime me jetë, sulmet kunder SHISH-it dhe SHIU-t që e kishin paralajmëruar disa here për Gërdecin, janë në të njëjtën linjë, gjithashtu.
Veprimet e Kryeministrit, shpesh pa logjikë, të kujtojnë thirrjet e ish-kryetarit Mao për të “sulmuar shtabet” në prag të revolucionit të tij shkatërrimtar në vitet ‘60-të. Kurse dëbimi brutal i diplomateve amerikane dhe përfaqësuesve të OSBE-se nga Kuvendi, sikur ky të ishte pronë private e Berishës apo asaj zonjës që drejton mbledhjet aty, janë kambana të fuqishme alarmi për demokracinë shqiptare.
Kam përshtypjen se kjo humbje e busullës nga qeveria, ka ndodhur për shkak të përpjekjeve për të tërhequr e mbuluar me çdo kusht mega-korrupsionin qeveritar që solli katrahurën e Gërdecit. Por kështu si po sillen, rrezikojnë katrahura edhe me të mëdha në shkalle kombëtare.