Më kujtohet shumë vjet më parë, pa u prishur Pazari i Vjetër, ajo që i ngjau një shitësi mjalti. Ishte e diel, ditë pazari dhe kishte shumë njerëz. Rrëmujën e shtonin edhe dy çuna të cilët me një shkop të gjatë e të hollë gjuanin qeleshet e katundarëve dhe ua rrëzonin përtokë, bashkë me lekët që aso kohe ata i mbanin nën qeleshe.
Shitësi i mjaltit për t’i tërhequr myshterinjtë, si tregtar i thekur që ishte, i bënte reklamë mallit të vet. Ai mbante në dorë një sapllake, të cilën e fuste në një qyp të stërmadh dhe e ngrinte jashtë të mbushur me mjaltë, pastaj që nga lart e derdhte mjaltin po në qyp. Mjalti shkëlqente si flori nën dritën e fortë të diellit. Këtë lojë ai e shoqëronte me thirrjet: blini lëngun e artë çudibërës; ilaçin e tërë gjynaheve njerëzore etj. Njerëzit afroheshin, ca blinin ca nuk blinin, por sidoqoftë kokën e kthenin dhe fjalët i dëgjonin.
Shitësi thërriste e dukej i gëzuar. E ku ta dinte ai i gjori se fati i mbante fshehur një të papritur të hidhur për një tregtar që beson se reklama është shpirti i tregtisë. Sapo kishte nxjerrë nga qypi sapllaken e mbushur me mjaltë të artë kur ç’të shohë ai (dhe unë bashkë, në të njëjtën kohë), pamë që një mizë kali e madhe nxinte mes mjaltit të artë. I shpejtë si vetëtima, instinkti vetëmbrojtës i shitësit dinak ndjeu se dalja e së vërtetës do të ishte fatale për të. E ai u tregua më i fortë se fati. Gjakftohtë dhe me sytë qepur tek unë e ktheu sapllaken nga goja e tij; e gëlltiti mjaltin bashkë me goxha mizën. Ishte kjo prova më bindësepër të zhdukur çdo dyshim në shpirtin e blerësve. “Reklama” triumfoi edhe një herë.
Po le të kthehemi në ditët tona, tek qeveria.
Edhe pse jemi vetëm 10 muaj larg nga votimet qershor 2009, qeveria e ka ndezur makinerinë e vet të reklamës euforike. Fitimet po i ka të majme; po ka edhe plane të reja e më të mëdha për të ardhmen. Prandaj, tani, pyetja që na del është se: a do ta gëlltitë shitësi mizën kësaj radhe, apo do t’ia rrasë atë prapë popullit siç ka bërë këto 17 vjet?
I sigurt për këtë të fundit, që në kohën e vet, Shekspiri thoshte : “Zotëri, përralla juaj mund të kurojë shurdhërinë”.