Dje u botua një editorial shumë kuptimplotë lidhur me lajmet e përhapura për mënyrën e emërimit të një punonjësi të ambasadës sonë në Romë, arrestuar me drogë në makinën me targa diplomatike. Besojmë se duhet të gjejë vend në të gjitha faqet e gazetave që hetuan dhe zbuluan këtë skandal të ri të administratës shqiptare, ndaj po e përcjell në këtë blog:
“..Shoferi i ambasadës shqiptare në Romë, arrestuar si trafikant droge, është emëruar një vit e ca më parë në shërbimin diplomatik jashtë kritereve normale. Arsen Selmanllari, i kapur me një kilogram drogë në makinën me targa diplomatike të shtetit shqiptar, rezulton të jetë një nip i një biznesmeni, mik i ngushtë i Shkëlzen Berishës, aq mik sa shumë e njohin madje si vëllanë i tij jo-biologjik.
Por, ndërsa gazetat po hetonin për mënyrën se si është rekrutuar ky shofer në shërbimin diplomatik, ia behu deklarata e fortë e Bogdanit, e cila thotë:
“Sot, në fletushkën e tij personale një tender-lëpirës dhe gjobëvënës, boton trillimin e radhës, sipas të cilit shoferi i kapur nga autoritetet italiane me drogë, qenka sugjeruar nga familjarë të Berishës. …Me trillimet dhe mashtrimet e tij të përditshme, ai vetëm vjell mbi vetë vrerin, se me këtë qeveri nuk pret dot më gjoba dhe nuk fiton tendera me shpifjet dhe trillimet që boton në fletushkën e tij.” (!)
Reagimi ishte shumë interesant, se është shkruar direkt nga Berisha dhe ka një tërbim të paparë për një gjë që është shumë publike. Rrahmani, biznesmeni në fjalë është vërtet mik i ngushtë i Shkëlzen Berishës dhe këtë Sali Berisha nuk mund ta mohojë. Ajo që ai ka të drejtë, është nëse shoferi ka përdorur autoritetin e Rrahmanit për t’u emëruar në shërbimin diplomatik apo autoritetin e Shkëlzenit.
Ne besojmë atë që thotë zoti Berisha, edhe pse shumë i nxehur dhe jashtë kontrollit. Ne jemi të gatshëm të besojmë se ai që ka ndikuar në emërim, nuk është Shkëlzeni, djali i tij, por emërimi është bërë falë autoritetit dhe ndikimit që ka në Ministrinë e Jashtme shoku i tij.
Dhe për këtë pastaj duhet të pyesim se kush është ky biznesmen që ka aq shumë fuqi, sa të bëjë emërime në shërbimin diplomatik. Po ashtu, kemi rast të shikojmë, nëse emërimi është politik, për shkak të kontributeve të tij personale, nepotik, për shkak të lidhjeve të tij familjare apo i merituar, për shkak të cilësive të veçanta të këtij punonjësi të diplomacisë sonë.
Zoti Berisha është i lirë të na i shpjegojë këto qetësisht, pa u nxehur, pa e humbur logjikën dhe pa kërcënuar. Ne, për fat, e njohim dhe atë, dhe Shkëlzenin, dhe shokun e Shkëlzenit në fjalë, dhe nuk kemi ndonjë mëdyshje ç’ka ndodhur. Nuk njihnim vetëm këtë shoferin, por këtë e njohëm si trafikant droge. Nëse Berisha mendon se mund të na trembë duke na mbyllur gojën, duke na futur në konflikt me kartelet e mbetura të drogës në Tiranë, i ka bërë llogaritë gabim.
Edhe pse s’kemi makinë të blinduar, siç ka patur ai, dhe pse nuk kemi miq, siç ka patur ai, që të na dhurojnë një të tillë, ne kemi me vete të vërtetën që na mbron shumë herë më shumë se mjetet me të cilat mbrohen trafikantët nga njëri-tjetri. Dhe e vërteta është në mes të diellit. Trafikanti është njeri i afërt i mikut më të ngushtë i djalit të tij.
Mund të mos ketë asnjë ndikim djali i tij në këtë emërim, por pyetja më e rëndë është: Ku e gjeti fuqinë shoku i djalit të tij për të bërë emërime të tilla?
Për këtë i lutemi të përgjigjet qetësisht, se tërbimi me të cilin përgjigjet, e bën shumë pak të besueshëm. I kërkojmë të jetë i qetë, se nuk është kapur me drogë shoferi i ndonjë gazete, por shoferi i shtetit shqiptar, me targat simbol të shtetit shqiptar, në krye të të cilit është zoti Berisha... „