Disa ditë më parë lexova në suplementin Faqet e së Shtunës që të rinjtë shqiptarë, kryesisht të rretheve, pasi mbarojnë studimet në Tiranë, nuk pretendojnë të kthehen për atje nga ku kanë ardhur. Ka vite që ndodhë një gjë e tillë, dhe ky fenomen është një shqetësim jo i vogël për rrethet e vogla siç është dhe Kukësi.
Ky fenomen, moskthimi i të diplomuarve, ka një ndikim të madh në cilësinë e administrative lokale, pra në nivelin e shërbimit ndaj komunitetit. Kthimi do të sillte përmirësimin dhe mbushjen e administratës me elementin e ri, rinovimin dhe ecjen përpara të rretheve përkatëse.
Problemi rëndohet kur kërkesa nga komuniteti për një gjë të tillë nuk ekziston fare. Në disa rrethe të zbrazura nga lëvizja drejt qyteteve të mëdha, ka një komunitet të ri, që përbëhet kryesisht nga një popullsi e ardhur nga zona të thella malore. Për shkak të kushteve ku kanë jetuar më parë, ata ndjehen shumë komod edhe me ato pak gjëra që u ofrojnë rrethet e prapambetura. Ndaj sot e gjejmë veten që kënaqemi me kaq pak ujë që kemi, që jemi dakord me çmimin e lartë ose shumë të lartë të internetit që ofron Albtelekom, etj, etj.
Atëhere si do vejë halli me këto rrethe, si do vejë halli me këtë formim kaq të pakët të rinisë së mbetur këtu? Si do të zhvillohet qyteti ynë, kur askush nuk kërkon më tepër, askush nuk kërkon ujë më shumë, lulishte më shumë, qendra interneti për informim më shumë? Rinia është e ardhmja; ata duhen të mësohen të ecin sot, që të bëjnë diçka nesër.