Sapo ministri i Mjedisit mbaroi raportin e tij, dola jashtë të shikoja se sa ishte përmirësuar ajri i qytetit të Elbasanit. Sepse z.ministër pohoi që vlerat e ndotjes janë ulur me 30% dhe se qytetet tona janë bërë më të jetueshme se më parë etj. etj.
Doja që t’i thosha që të dalë një ditë, pa bërë shumë zhurmë, nga zyra e tij me kondicioner dhe të vijë të shikojë retë e mëdha të smogut që kanë mbuluar Elbasanin. Është thënë e stërthenë se metalurgjia dhe fabrika e çimentos po përdorin filtra, por, mjafton të dalësh në dritare dhe do të shikosh tym dhe ndotje që ngrihen lart në horizont.
Në ditët kur era fryn në drejtim të qendres së qytetit, ajri bëhet i parespirueshëm dhe vrasës për të sëmurët. Për ata që nuk jetojnë në Elbasan mbase do t’i duken paksa të ekzagjeruara, por mjaftojnë 24 orë të rrish dhe e kupton se sa ndotje ka ajri në këtë qytet.
Mbase specialistët e Ministrisë së Mjedisit vlerat e pastrimit të ajrit me 30 për qindi kanë matur majë ndonjë kodre apo mes ndonjë pylli, se në qendrat e qytetevetona të mëdha nuk ka mundësi që t’i kenë matur. Dhe tek e fundit, ne qytetarëve nuk na duhen shifrat, por ajo që shohim me sy dhe fusim në mushkëri.