Përshëndetje “Shekulli”! Në kronikën televizive të Top Chanell për kapjen e punonjësit të ambasadës sonë në Romë me drogë, u mor një intervistë me ambasadorin e Shqipërisë aty. Si lexues i rregullt dhe shikues i zellshëm i lajmeve dhe informacioneve në media, besoj do më njihni të drejtën e një gjykimi.
Gjatë intervistës më bëri përshtypje që gazetarja që pyeste, në fakt bënte sikur pyeste, sepse i jepte vetë përgjigjet dhe rrethanat. Gjatë njërës nga “pyetjet” gazetarja thotë: “Juve ishit me pushime dhe ai e kishte marrë pa leje makinën në ambasadë... (!)
Më falni, po kjo nuk është pyetje. Kjo është t’i shesësh shikuesit sapunin për djathë. Nëse ishte me pushime apo nëse makina ishte marrë pa leje, këto le t’i thotë i prekuri dhe jo përfaqësuesi i opinionit publik siç teorikisht duhet të jeni ju gazetarët.
Nuk di të them nëse gjëra të tilla janë të porositura, por në fakt, ashtu duken. U ngrihen alibi shkelësve të ligjit, duke iu shërbyer shkelësve me një zell që në fakt e meriton publiku. Më duhet të them me keqardhje që në këtë TV kam parë qëndrime të ngjashme edhe për vizitën e Bushit në Krujë, apo për tragjedinë e Gërdecit. Nëse nuk kam të drejtë mos e botoni, por mendoj se ju të mediave duhet të pranoni dhe kritikat dhe të përmirësoheni. Mos bëni të njëjtat gabime si politikanët, sepse populli ju do dhe ju mbështet me besim.