Në asnjë vend normal të botës arrestimi i një personi që është shkrimtar, poet, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, por edhe me moshë 62 vjeç, për më tepër edhe ish-i persekutuar politik, siç është rasti i arrestimit të Zydi Moravës me 9 kg drogë në Itali ditët e fundit, nuk do të kalonte thjesht e vetëm si lajm i kronikës së zezë, siç kaloi në vendin tonë.
Por siç thotë z.Lubonja në një analizë në shtypin e ditës, “problemi kryesor që ka ngritur trafiku i drogës nuk është as shkatërrimi i burimeve natyrore të vendit, as kapja që ai i ka bërë institucioneve të shtetit, madje as fakti se një pjesë e të rinjve janë kthyer në përdorues të saj, duke shkatërruar shëndetin dhe të ardhmen e tyre për pasojë. Problemi kryesor është shkatërrimi i burimeve njerëzore në mbarë shoqërinë. “Puna” e trafikimit të drogës dhe fitimi i saj ka bërë që të kthehet kokëposhtë ai sistem vlerash, sipas të cilit meriton më shumë dhe fiton më shumë ai që punon e studion më shumë. Në përgjithësi, modeli që kanë përpara syve të rinjtë, është ai i të riut që pasurohet shpejt e fiton një status që e vë mbi të tjerët, jo se është më i zoti, më i mençur, më i ditur, por shpesh sepse është më i guximshëm në këso punësh dhe më i paturpshëm gjithashtu. E duke iu referuar rastit në fjalë, nëse edhe poeti, dhe shkrimtari shkon tek droga, ç’mund të thuhet për të tjerët.
Kur edhe poeti merret e mbijeton me drogë, kjo do të thotë të zhduket fare modeli alternativ. Me këtë rast kujtoj se nuk është i vetmi rast ky, kur njerëzit e artit kapen jashtë shtetit, jo brenda largqoftë, me drogë! Dhe shoqëria jonë e turpëruar apo pse bashkëfajtore, ka nxituar shpejt t’i shfajësojë. Si përfundim, dua të ngulmoj se duke u nisur edhe nga ky rast, shoqëria shqiptare duhet të ulet e të diskutojë fort seriozisht mbi efektet shkatërrimtare që ka pasur “puna” e trafikimit të drogës dhe të prostitucionit në trupin e saj gjatë këtyre 17 vjetëve dhe se çfarë duhet bërë kjo lloj industrie që të frenohet. Nuk është kurrë tepër vonë…”