Ashtu siç ka bërë disa herë kohët e fundit edhe dje kryeministri i vendit Sali Berisha sulmoi Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Me logjiken dhe mllefin enjë kokëngjeshuri të pandreqshëm, me shprehje dhegrumbuj fjalësh krejtësisht të çakorduara, z.Berisha i akuzoi aktivistët e Aleancës si marksist - leninistë dhe antiglobalistë.
Duhet thënë se këto akuza vijnë në një kohë kur kauza e Aleancës “ kundërshtimi i veprave të naftës në Gjirin e Vlorës dhe kërkesa për referendum popullor për këto vepra “, mund të konsiderohet e humbur, për shkak edhe të papërgjegjshmërisë mjerane të deputeteve të Vlorës dhe qeveritarëve lokalë.
Njëkohësisht këto sulme vijnë në një kohë kur Berisha & Co, pasi kanë shitur për 1 euro Gjirin e Vlorës, bëhen gati të shesin edhe pjesë të tjera të Shqipërisë, gjithnjë për 1 euro, dhe gjithnjë në favor të industrive ndotëse fqinje. Pikërisht këtu qëndron edhe motivi i sulmeve të Berishës. Pavarësisht etiketimeve të mësipërme të z.Berisha, Aleanca, me kundërshtimin e saj disavjeçar mbolli farën e një vetëdije mjedisore, pse jo dhe antiglobaliste ( personalisht, nëse antiglobalist quhet ai që dëshiron të mos lejojë që shtëpia e tij të kthehet në “ hale” të fqinjëve, unë me krenari do ta quaja veten të tillë), e cila i vë në rrezik planet e Berisha & Co për të ardhmen.
Së fundi sulmet vijnë në një kohë kur raporti i pritshëm i BE për Shqipërinë, kapitulli për mjedisin, përmban kritika të ashpra ndaj qeverisë më të ndotur në historinë e Shqipërisë moderne.