Kryeministri, në intervistën e lodhshme disaorëshe në televizion parmbrëmë na tha se kishte “shpartalluar fraksionin “Topi” si pakicë bllokuese brenda PD” (ngjan me ato grupet armiqësore që shpartallonim dikur. Ashtu siç thotë z.Baze, është e para herë që kryeministri Berisha pranon një betejë brenda PD me ata që quhen mbështetës të presidentit Topi. Po përse e bën tashmë publike zoti Berisha këtë krizë tashmë të vdekur që të gjithë ia kemi treguar me gisht kur ishte gjallë?
Arsyeja duket se nuk qëndron tek evokimi i një konflikti të vdekur, por një historie të re që ka nisur tashmë mes tij dhe presidentit, Bamir Topi. Beteja e tij e re me presidentin, Bamir Topi, janë institucionet e pavarura. Ata kanë hyrë në një konflikt të qartë për Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatën e Lartë, KLD dhe reformën në drejtësi në tërësi.
Por ndryshe nga çdo konflikt tjetër mes tyre, kjo është një betejë që fajëson në opinion publik Sali Berishën. Përveç dyshimeve ndërkombëtare, që janë shumë të forta, zoti Berisha mbart mbi shpinë dhe dyshimet e besueshme të mbështetësve të tij. Z.Topi është presidenti i dytë radhazi, dhe zonja Rama është kryeprokurorja e dytë radhazi që zoti Berisha i zgjedh vetë dhe i shpall vetë armiq pa mbushur viti. Për këtë arsye ai po përpiqet të prodhojë një histori me konfliktin e tij me Bamir Topin. Ai po përpiqet të tregojë para mbështetësve të tij se konflikti i tij me Bamir Topin i ka rrënjët realisht te përpjekja e Bamir Topit “për t’i ndërhyrë atij brenda partisë dhe për t’i krijuar një pakicë bllokuese”.
Duke folur si triumfator për “shpartallimin e fraksionit “Topi”, ai në fakt është duke prodhuar një biografi të betejës që ka nisur kundër presidentit. Ai po kërkon një arsye që nuk ka lidhje me synimin e tij real, që është futja nën kontroll e institucioneve të pavarura.
Duke gjetur një alibi për konfliktin me Bamir Topin, ai kërkon të shpjegojë në këtë mënyrë konfliktet që ka hapur me vetëdije kundër Prokurorisë së Përgjithshme, KLD dhe drejtësisë në tërësi, me qëllim që të amortizojë kritikat që vijnë nga brenda dhe jashtë.
Zoti Berisha, i mbuluar nga skandalet financiare të familjes së tij dhe marrëzitë e tjera politike për fat të keq të tij, ka kundër të tashmen dhe të nesërmen. Atij i duhen arsye t’u shpjegojë njerëzve vazhdimisht konfliktet e tij dhe pikërisht për këtë po i lind nevoja të bëhet “transparent” dhe të dëshmojë për komplotin “Topi”, kur atë e ka harruar dhe vetë zoti Topi.