Faqet e internetit të qeverisë dhe Ministrisë së Punës krijojnë konfuzion sa i takon kombësisë së ministrit ende në detyrë, Koço Barka. Në të dhënat që zyrtarisht jep uebsiti i qeverisë "Berisha", ministri figuron me kombësi shqiptare. Por nëse klikon në faqen e internetit të ministrisë rezulton se ai ka shënuar si kombësi atë greke. Logjikisht ajo çka është shënuar në faqen e ministrisë duhet të jetë kryer prej vetë Barkës, ndërsa pasqyrimi në uebin e ekzekutivit duket të jetë një gafë nga pakujdesia.
Por ky nuk është keqkuptimi i vetëm në faqen e Këshillit të Ministrave për rastin e Barkës. Një tjetër element i vënë re ka të bëjë me emrin që mban kreu i këtij dikasteri. Në hapësirën e prezantimit të ministrave, ai quhet Kosta Barka. Vetë ministri, te faqja e ministrisë së tij, ka shënuar emrin Koço. Edhe në dekretin e fundit që kreu i shtetit lëshoi për lirimin nga detyra të Barkës, shënohej emri Koço.
A ndodh me ndonjë qeveri që të mos dihet as emri i saktë e as të dhënat identitare të një ministri?! Kjo nuk është serioze!