Jam dakord me z.Stefani kur thotë se “kapja e pushtetit të drejtësisë (prokurorisë dhe gjykatave në të gjitha nivelet) ishte edhe shkaku thelbësor i degradimit të qeverisjes që nuk mund të mos precipitonte në kolapsin e shtetit në vitin 1997. Sipas konkluzioneve edhe të FMN-së ishte pushteti absolut i ish-presidentit Berisha që pengoi drejtësinë të ndërhynte në kohë për të hetuar dhe bllokuar piramidat.
Madje, Berisha shkoi edhe më larg. Deklaroi publikisht se paratë e futura në piramida ishin të pastra, duke iu kundërvënë edhe dyshimeve të antimafies italiane, një deklaratë që i nxiti shqiptarët të hidhnin në piramida miliona të tjera që nuk do t‘i merrnin më. Sikur drejtësia të kish qenë e pavarur, e lirë nga interesat korruptive të pushtetit dhe politikës, e lirë nga Berisha, Shqipëria do ta kish shmangur krizën e thellë dhe kolapsin e shtetit. Viti ‘97 tregoi se ku të shpie "drejtësia" e skllavëruar nga politika. Ky kancer nuk u kurua as me ardhjen në pushtet të socialistëve. E mbetur skllave në thonjtë e politikës, drejtësia nuk u lejua të ndëshkojë korrupsionin e PD, si dhe krimet e vitit të mbrapshtë ‘97… Drejtësia nuk u lejua të ndëshkojë as aktet e rënda politike si grushti i shtetit i shtatorit ‘98.
Dhe aty ku pas krimit nuk vjen ndëshkimi, drejtësia nis e jep shpirt dhe krimi pjell krim. Mungesa e drejtësisë dhe veprimit të ligjit çoi në korrupsion edhe pushtetin e socialistëve. Është po i njëjti shkak që ka çuar në korrupsion edhe më të thellë deri edhe mafioz, pushtetin e dytë të "demokratëve" të Sali Berishës. Ky i fundit ka sy e faqe dhe del e flet si një kaudilio për idealin e tij personal të antikorrupsionit, duke pasur si sfond kupolën e llahtarshme të shpërthimit në Gërdec që është sinteza tragjike më elokuente e trafiqeve, korrupsionit të një kupole mafioze në qeverisje. Sikur të kishim pasur drejtësi të pavarur nuk do të kishim pasur Gërdec.
Pas Gërdecit dje u zbuluan në median shqiptare edhe lidhjet e kësaj kupole të pushtetit me "trafikantin rajonal" Damir Fazlliç, këshilltar konfindencial i Kryeministrit dhe i sapo arrestuar në Bosnje. Gazetari Mero Baze, deri dje një nga mbrojtësit më të zellshëm të Berishës, por sot një nga denoncuesit më të ashpër të tij, ka publikuar detaje të hollësishme të bashkëbizneseve të trafikantit Fazlliç me njerëz të familjes Berisha dhe bashkëpunëtorë të afërt të tij si ministri Basha. Duken si biznese që bien erë pastrimi parash. Dhe Fazlliç rezulton të jetë ndjekur penalisht në Bosnjë dhe Kroaci, pikërisht për pastrim parash, ndërkohë që këshilltari i Xhinxhiç, Kryeministrit serb të vrarë nga klani i Zemunit, ka pohuar se Fazlliç përdorej që "të mbarojë punët më të ndyta korruptive nga Shqipëria deri në Bosnje".
Dhe ky trafikant ka qenë edhe këshilltar i Kryeministrit që përbetohet natë e ditë ekraneve për idealin e antikorrupsionit. A do ta hetojë prokuroria këtë skandal të radhës? Nëse jo, si mund të shpëtojë Shqipëria nga diktatura e kësaj kupole korruptive me ratifikim ndërkombëtar pa krijimin e një drejtësie dhe prokurorie të pavarur?”