Kryeministri i akuzuar për afera të familjes si dhe të mbështetësve të tij të afërt çohet dhe i hakërrehet opozitës e i vendos oturakun në kokë si Leskajt e Braçes ashtu edhe me kolipost Ramës. Edhe Metës në mes tyre. Mbasi i shikon të zhyer dhe qesh, u thotë pastaj që “lëvizni po jua mbajti se, do qelbni dynjanë e jeni të zhyer. Nuk e mbulon dot era juaj e qelbur erën e qelbur timen”.
Dhe më pas u kujton që “do të përfundojmë të gjithë në burg, e jua kam thënë një herë me Gërdecin”. Nuk e kisha ndjerë keq veten si parmbrëmë, para televizorit. Ai na bllokoi (megjithëse në të shkretet nuk luajmë poker) të gjithëve që presim prej 2005 të dënojë korrupsionin me vepra, e tani i thotë popullit të tij mos më prekni se ndryshe do ta bëj çorap përsëri.
Po ku je mor dëshmitar i madh me 8 vjet opozite e 3 vjet në krye të shtetit që mban dosjet e Mafies në xhep? Pse nuk i boton e nuk i starton në prokurori? Mire dje “të pengonin” po sot çfarë pret? Me to don të mbash pushtetin t’i bashkëpunëtor i dikurshëm i Partisë së Punës, e sot na del hakërryesi me i madh ndaj Mafies, ose mashtrues i popullit të varfër që u dërgon numrin e telefonit për korrupsion e pastaj tund fotot e kasetat që i mban të fshehura…
Të them të drejtën nuk jam ngritur prej divanit e para TV ndonjëherë për të reaguar ose tifozuar. I kam dëgjuar i qetë. Mbrëmë u çova zgupthi. Ai u ngrit duke qeshur nga karrikja e parlamentit dhe njëkohësisht super i nervozuar…
Po, mbrëmë shava veten sepse, ai nuk do të më dëgjonte po ta shaja, e nuk kishte vlerë. Më mirë veten time. E shava veten për naiv, pastaj e shava për idealist, dhe si përfundim më erdhi keq për veten se kam humbur 18 vjet kot. “Qava” deri në 5 të mëngjesit se nuk më zinte gjumi. Ma kishte trembur keqas (gjumin). Vallë edhe unë duhet të marr qetësues ?