Ajo që ishte më e rënda dje, kishte të bënte me faktin se prokuroria nuk ka mundur dot të ndalojë për ta pyetur shtetasin boshnjak Damir Fazlliç, pasi policia e mori atë në mbrojte, dhe injoroi fletëthirrjen e prokurorisë.
Sipas burimeve nga prokuroria, fletëthirrja është regjistruar një orë e gjysmë para se Fazlliç të linte Tiranën. Ajo i është komunikuar drejtuesit të policisë në Rinas, por ai nuk e ka përfillur, pasi ka qenë i angazhuar nga persona jozyrtarë të shoqëronte dhe të mbante nën kujdes shtetasin Damir Fazlliç. Një këshilltar i kryeministrit Berisha po ashtu u shfaq pas Fazlliç dhe përdori autoritetin e kryeministrit për të mos ia dorëzuar drejtësisë njeriun e kërkuar prej saj.
Ky skandal duhet të bëhet objekt debati publik rreth keqpërdorimit të shtetit për interesa private dhe për fshehje të njerëzve të kërkuar.
Damir Fazlliç erdhi për të na fyer në emër të arrogancës së pushtetit, njësoj si fyente Delijorgji punëtorët e pafuqishëm për të protestuar në Gërdec, duke punuar si skllevër. Ai erdhi të na tregojë se, sa të ketë pushtetin Sali Berisha, askush nuk e prek këtu. Skena e shëmtuar e futjes së tij ilegale në TV “Klan”, mospërballja publike me shtypin që e ka akuzuar dhe përdorimi i pushtetit të Berishës për t’iu shmangur prokurorisë tregojnë qartë kush është njeriu më i besuar i kryeministrit.
Ky i fundit e përdori emrin e tij për të bërë shantazh publik, duke e paraqitur si “kutinë e Pandorës”, që po të hapej kapaku i saj, opozita do të ndjehej keq. Dhe nuk ka përse ta përdorë tjetër, një njeri të tillë, veçse për shantazh. Gjithkund njerëz të tillë për të tilla gjëra përdoren. Problemi ynë është se kryeministri nuk mund të jetë në dispozicion të njerëzve të tillë.