Pa kaluar një javë nga deklarata kërcënuese e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Jeremiç, në mjediset e selisë së OKB-së në Nju Jork, u shpall botërisht përparësia e forcës mbi drejtësinë në raportet ndërkombëtare, Presidenti i moderuar Tadiç i parashtroi politikës ndërkombëtare përzgjidhjen e “problemit” Kosovë obsionin e vet; Ndarjen e territorit të Kosovës në përputhje me përkatësitë etike.
Ajo që më shqetëson dhe do të dëshiroja ta qartësoja është prirja e vërtetë politike dhe “statura” reale e të “moderuarit” Tadiç. Mendon vërtetë se përdorimi i forcës nga Serbia ndaj Kosovës do të ishte më pak i rrezikshëm për rajonin dhe më tej se rishikimi i kufijve në Ballkan?! Mendon se ky është obsioni i fundit, në rast dështimi të Serbisë në votimin e kërkesës së saj nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së?! Mendon vertetë për të sotmen dhe për të ardhmen e qytetarëve serbë në shtetin e pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht të Kosovës, apo për paqësim e kënaqjen e ambicieve atavike të nacionalistëve serbë, jo të pafuqishëm politikisht mbi Beogradin zyrtar?!
E kam të vështirë të jap një mendim për politikën aktuale të Serbisë, siç e kam po kaq të vështirë të shpreh një opinion për statusin dhe rolin efektiv të Tadiç në politikën shtetërore. Sidoqoftë, deklarimi më i fundit provokues i Presidentit të Serbisë ndaj Kosovës shtet, s’është gjë tjetër veç një përpjekje personale në funksion të forcimit, të afirmimit dhe pranimit të statusit në postin më të lartë shtetëror, të Presidentit nga gjithë forcat politike dhe qytetarët e Serbisë. *Autori është deputet i Kuvendit të Kosovës